Përfshihet për herë te parë elementi i gjurmueshmërisë së kripës në të gjitha etapat e prodhimit, shpërndarjes, deri në mbërritjen te konsumatori, për të patur konsum 100% të kripës së jodizuar

Tiranë, 12 Shkurt – Miratohen në Kuvend ndryshimet ligjore në projektligjin “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmeria e jodit në organizmin e njeriut”.  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha në Parlament se ky projekt ligj vjen si domosdoshmëri për të forcuar masat e kontrollit dhe monitorimit, për parandalimin e ç’rregullimeve që vijnë si pasojë e pamjaftueshmërisë jodike, për përmirësimin e mirëqënies dhe shëndetit të qytetarëve.
Manastirliu tha se përfshihet për herë të parë elementi i gjurmueshmërisë së kripës në të gjitha etapat e prodhimit duke shtuar gjithashtu se do të forcohen instrumentat e kontrollit.

“Përfshijmë për herë të parë në ligj konceptin e gjurmueshmërisë së kripës për konsum human, shtazor edhe për përdorim industrial. Forcojmë instrumentat e kontrollit dhe monitorimit, që nga dogana apo vendprodhimi në rastin e kripës që prodhohet në vend, e deri tek dalja në treg, pra në të gjitha etapat, deri në mbërritjen te konsumatori.”, tha Manastirliu. Duke theksuar se projektligji e përafron legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe është një hap përpara drejt sigurisë për shëndetin e qytetarëve, Manastirliu paraqiti ndryshimet që u miratuan në Parlament.
Ligji i ndryshuar synon: Të kontrollohet në masën 100% kripa ushqimore e prodhuar nga stabilimentet e jodizimit të kripës ushqimore në vend;
Të kontrollohet në masën 100% kripa ushqimore e importuar në Republikën e Shqipërisë;

Të kontrollohet në masën 100 % kripa ushqimore e pajodizuar e importuar në Republikën e Shqipërisë, e destinuar vetëm me qëllim fortifikimin e saj me jod, për konsum human dhe shtazor;
Të monitorohet në masën 100 % niveli i përmbajtjes së jodit në kripën ushqimore, duke siguruar një koordinim më të mirë të strukturave në gjithë territorin.  Studimi Demografik Shëndetësor 2017-2018 tregoi që 65% e familjeve përdorin kripë të jodizuar sipas standarteve (>15ppm). Aktualisht, MSHMS dhe Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me UNICEF po marrin masa për të zbatuar një studim kombëtar te fëmijët dhe gratë shtatëzëna për të matur nivelin e jodit të këto grupe të popullatës.