Si kryeministër do e njohim më shumë edhe jetën personale të Albinit, i cili nuk mund të jetë më njeriu që jemi mësuar të shohim, larg emocioneve personale. Por edhe pse poston një moment familjar, kryeministri i Kosovës bën premtim për Teatrin e fëmijëve në Kosovë.

“Mbrëmë Lea, mua e Ritën, na dërgoi në teatrin “Dodona” për të parë shfaqjen “Liza në botën e çudirave” të Lewis Caroll, dramatizuar nga Arzana Kraja e me regji të Melihate Qenës.Kur perdet e teatrit ranë ne u futëm në botën e tij. Duke e ndjekur nga pas lepuroshin e shfaqjes, çuditeshim bashkë me Lizën. Hera herës provonim t’i ndihmonim asaj në matematikë e në gjetjen e kryeqytetit të Kosovës. Viheshim në siklet nga trysnia mbi Lizën, por edhe gëzoheshim kur ajo triumfonte.Njëmend mungojnë kushtet në këtë teatër, por aty ka aq shumë dashuri për të e pasion në të.Aktorët tanë e bëjnë dhe shfaqin maksimumin e tyre në çdo paraqitje skenike, kurse ne duhet që së paku ta japim ndihmën institucionale. Si prind e di rëndësinë e teatrit, prandaj nuk do e lëmë në harresë. Nuk ka emancipim pa teatër”, shkruan kryeministri Kurti.