Deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të votuar qeverinë e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje-Lidhja Demokratike e Kosovës, koalicion ky që u arrit pas katër muaj negociatash. Seanca do të mbahet më 3 shkurt 2020, në orën 11:00, me të vetmen pikë të rendit të ditës: zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy partitë që morën më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 6 tetorit, kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re, duke i dhënë fund ngërçit politik për shkak të mos pajtimeve rreth ndarjes së posteve.

Këto dy parti janë pajtuar që qeveria e re të ketë 15 ministri, duke bërë që secila prej tyre të udhëheqë me nga gjashtë ministri, posti i kryeministrit t’i takojë Vetëvendosjes, kryeparlamentari LDK-së, ndërsa tri ministri do t’iu takojnë minoriteteve. Sa i përket postit të presidentit, e cila ka qenë temë e nxehtë e negociatave të deritanishme, LVV dhe LDK kanë vendosur që kjo çështje të mbetet për t’u diskutuar më vonë.

Ministrat e VV Ministria e Punëve të Jashtme – Glauk Konjufca Ministria e Drejtësisë – Albulena Haxhiu Ministria e Financave – Besnik Bislimi Ministria e Ekonomisë – Rozeta Hajdari Ministria e Shëndetësisë – Arben Vitia Ministria e Integrimeve Evropiane – Blerim Reka Ministrat e LDK Agim Veliu – Ministër i Brendshëm Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes Lumir Abdixhiku – Ministër për Infrastrukturë Hykmete Bajrami – Ministre për Arsim Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë Vlora Dumoshi- Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport Ndërsa zëvendëskryeministra do të jenë Avdullah Hoti i LDK-së dhe Haki Abazi i VV-së.