Siç thonë ata, marrë parasysh zhvillimet që ndërlidhen me rreziqet dhe kërcënimet rajonale, si dhe ato globale nga terrorizmi, por edhe nga tensionet që vijnë nga Rusia, disa vende evropiane anëtare të NATO-s, por edhe jashtë saj, të cilat tash e disa dekada kanë hequr shërbimin ushtarak të obligueshëm, e kanë rikthyer atë në funksion ose janë në proces të rikthimit. Pavarësisht se konteksti i Kosovës për futjen në funksion të shërbimit ushtarak të obligueshëm ndryshon në shumëçka me të atyre vendeve, megjithatë, sipas tyre, për rrethanat e Kosovës një gjë e tillë do të ishte e dëshirueshme.

Kryeministri Albin Kurti, në rezymenë të cilin e ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës më 3 shkurt, për aspektet e qeverisjes së vendit gjatë mandatit të tij, ka thënë që përgatitjet për shërbimin ushtarak të obligueshëm në Kosovë do të nisin.“Ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje 3 mujore, i cili do  t’i ndihmojë Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes”, ka thënë Kurti.

Shërbimi ushtarak i obligueshëm, me ndryshime ligjore

Plator Avdiu, analist në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë që futja në funksion e shërbimit ushtarak të obligueshëm nuk nënkupton militarizim të atyre që i nënshtrohen këtij obligimi. Sipas tij, praktikat tregojnë që në shërbime të ndryshme ushtarake të detyrueshme ka sektorë që merren me komunitetin, me emergjencat civile dhe të tjera.

“Personalisht unë mendoj që duhet të ketë shërbim ushtarak të detyrueshëm. Do ta forconte komponentin e mbrojtjes. Në Kosovë, do të kuptohej ushtria jo vetëm në kuptimin e militarizimit, por edhe në kuptimin e ofrimit të ndihmës ndaj komunitetit, për shkak se ne e dimë që ushtria, ndër të tjera, nuk është vetëm kuptim konvencional. Mirëpo, rrethanat e zhvillimeve politike e kanë ngritur nevojën që ushtria të evoluojë dhe të mos shihet vetëm me atë këndvështrimin militarist, por në një këndvështrim mbase më të madh të aspektit të sigurisë njerëzore”, tha Avdiu.

Por, ai shton që për ta bërë të detyrueshëm shërbimin ushtarak në Kosovë, kërkohen ndryshimet ligjore të cilat kanë të bëjnë me Ministrinë e Mbrojtjes, me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për shërbimin në këtë forcë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e lirë, thotë që në rast se propozimi i kryeministrit Kurti për shërbimin ushtarak të obligueshëm jetësohet, korniza ligjore duhet të rregullojë përfshirjen e të dy gjinive, por edhe konventat evropiane dhe botërore të shërbimit me armë dhe pa to, si shërbime mbështetëse.

“Mendoj që një model sikur që e ka Zvicra, është jashtëzakonisht i pranueshëm edhe për te ne. Kjo kishte me qenë e domosdoshme, sidomos me kapacitetet e kufizuara që realisht janë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e që janë vetëm 5 mijë aktiv dhe 3 mijë rezervë dhe që janë mbase të pamjaftueshme në rast të një kërcënimi të mundshëm për Kosovën. Unë mendoj që për të bërë një gjë të tillë dhe për të bërë programin trajnues të paraparë për këtë fazën e parë, pasi që kjo është vetëm 3 mujore, atëherë mendoj që për një afat kohor prej 2 vjetësh do të ishte e mundur që të fillonte zbatimi”, tha Ibishi.

Të rinjtë, në favor të shërbimit të obligueshëm

Synimi i kryeministrit Kurti, që gjatë qeverisjes së tij shërbimi ushtarak të jetë i obligueshëm, disa të rinj në Prishtinë konsiderojnë se duhet të jetësohet.

Vanesa Orana, studente, thotë se i mirëpret angazhimin e kryeministrit në këtë drejtim.

“Është shumë mirë që ta kesh eksperiencën e ushtrisë. E ke një farë rregulli më pas edhe në jetën tënde . Tre muaj nuk janë shumë, në krahasim me disa vende që e kanë shumë më gjatë, qoftë për femra, qoftë për meshkuj. Unë, për vete, do të shkoja nëse më bëhet thirrja”, u shpreh Orana.

Gëzim Berisha, thotë se është 35 vjeç, por është i gatshëm t’i përgjigjet ftesës për shërbim të obligueshëm ushtarak, në rast se, siç thotë ai, jetësohet synimi i kryeministrit Kurti.

“Besoj që, jo vetëm unë, por çdo i ri dhe e re do të shërbente në ushtrinë e Republikës së Kosovës”, tha Berisha.

Çlirimtare Syla, studente, thotë se tashmë në familjen e saj ka traditë ushtarake nga babai i saj dhe shërbimin ushtarak të obligueshëm, ajo madje e sheh si një leksion për jetën.

“Do të doja edhe unë ta përjetoja ndjenjën që të jem në ushtri, sado pak, për te muaj. Mendoj që shoqëria jonë, rinia e jonë, ka nevojë për një lloj të tillë disiplinimi dhe që pak a shumë, të shohë dhe të kuptojë se si duhet ta kenë edhe në strategji për jetën më tutje dhe jo vetëm në raport me ushtrinë”, vlerësoi Syla.

Edon Statovci, një i ri tjetër, thotë se madje nuk do ta presë fare shërbimin ushtarak të obligueshëm.

“Me dëshirë do t’i bashkangjitem ushtrisë tonë. Unë edhe ashtu jam duke aplikuar për pranim në FSK”, tha Statovci.

Rigjenerimi i FSK-së

Analisti Plator Avdiu, shpreh mendimin që në rast se qeveria Kurti synon zbatimin e shërbimit ushtarak të obligueshëm, përveç harmonizimit të kornizës ligjore dhe përballimit të kostos financiare, do t’i nevojitet edhe harmonizimi, të paktën me disa nga vendet e NATO-s, të cilat aplikojnë praktika të njëjta. Nisur nga përvoja e kundërshtimeve që NATO, ka pasur ndaj formimit të Ushtrisë së Kosovës, Avdiu nuk pret që kjo aleancë, si tërësi, të bashkëpunojë me Kosovën në këtë drejtim.

“Por, kjo nuk ia pamundëson Kosovës që në bashkëpunim me shtetet tjera të NATO-s, të cilat kanë shërbim ushtarak të detyrueshëm, të marrë këshilla, ndihma dhe sugjerime. Në formë graduale, kjo mund të zbatohet, ndoshta pa e prekur atë pjesën substanciale të FSK-së, e cila është ndërtuar me vite nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera”.

“Pastaj, të shikohet disa komponente më fleksibile ku mund të aplikohet shërbimi ushtarak i detyrueshëm, në formë graduale, që ndoshta me vonë mund t’i prekë edhe komponentët tjerë të ushtrisë”, vlerësoi Avdiu.

Ndërkaq, Nuredin Ibishi vlerëson që shërbimi i obligueshëm ushtarak mund të krijojë mundësitë për rigjenerimin e kuadrove profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Dallimi qëndron në atë se FSK është ushtri profesionale, mirëpo realisht ajo duhet të rigjenerohet sipas viteve, pasi që struktura vjetërsohet me kohë dhe normalisht që duhet të zëvendësohet me kapacitete të reja. Mundësia e rekrutimit nga kjo strukturë, pra nga shërbimi i obligueshëm ushtarak është shumë më i mirë, natyrisht nëse ata shprehin vullnetin për një gjë të tillë. Normalisht, çështja tjetër është se shtohen i kapacitetet FSK-së, në aspektin kuantitativ, por ndoshta edhe kualitativ, përballë një rreziku apo një kërcënimi të mundshëm të sigurisë së vendit”, tha Ibishi.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, kanë theksuar që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh që aplikimi i shërbimit ushtarak të obligueshëm ka implikime më të mëdha financiare, se sa që është aktualisht buxheti që ndahet për forcën e Sigurisë së Kosovës, ndonëse buxheti për këtë forcë është paraparë që të ketë rritje progresive për çdo vit.