Qeveria amerikane ka shpallur gjendjen e emergjencës lidhur me koronavirusin si dhe ka marrë masa për kryerjen e kontrolleve të rrepta ndaj atyre shtetasve të huaj të cilët kanë vizituar Kinën. Vendimi vjen ndërsa qeveria kineze njoftoi një rritje të numrit të vdekjeve si pasojë e virusit.Zyrtarët kinezë thanë të shtunën se të paktën 258 vetë kanë vdekur dhe afro 12 mijë janë infektuar nga virusi.Përhapja e vazhdueshme e koronavirusit bëri që sekretari amerikan për Shëndetin Alex Azar të njoftojë të premten se do t’i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara çdo shtetasi të huaj që ka udhëtuar kohët e fundit në Kinë, përveç atyre të cilët anëtarët e rrethit të ngushtë familjar, i kanë shtetas amerikanë.

Ai tha gjithashtu se çdo qytetar amerikan që ka udhëtuar në provincën Hubei të Kinës gjatë dy javëve të fundit do të vendoset në karantinë të detyrueshme prej 14 ditësh, periudha e inkubacionit të virusin.Njoftimi vjen ndërsa qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) konfirmuan rastin e gjashtë me koronavirus në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se pacienti më i fundit është nga konteja Santa Clara që ndodhet në jug të San Fransiskos. Ai kishte vizituar së fundmi Kinën.

Zyrtarët amerikanë të shendetësisë lëshuan të premten një urdhër për karantinë dy-javore për 195 amerikanët e evakuuar në fillim të kësaj jave nga Wuhan-i. Kjo është karantina e parë në nivel federal e urdhëruar që nga vitet 1960 që lidhej me një situatë shpërthimi të lisë së dhenve.Ish-zëvendës Presidenti Joe Biden kritikoi të premten Presidentin Donald Trump për reduktimin e mbikëqyrjes amerikane mbi çështjet globale që lidhen me shëndetit, përpara fillimit të krizës së koronavirusit. Zoti Biden tha se tani nuk është koha që “ksenofobia histerike dhe alarmi që na udhëheqë rrugën, por shkenca”.

Matt Wolking, një zëdhënës i fushatës së zotit Trump, tha se presidenti “po dëgjon ekspertët e mjekësisë dhe shkencëtarët dhe se po merr çdo masë paraprake të përgjegjshme për të mbrojtur popullin amerikan”.Gjithashtu të premten tre linja ajrore amerikane njoftuan se do të ndërpresin fluturimet drejt Kinës.