Zyrtarët kinezë u kërkuan të gjithë atyre që kthehen në Pekin që futen në karantinë për 14 ditë. Në një përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit të ri, gazeta shtetërore njoftoi se ata që refuzojnë të vetëizolohen apo të shkelin rregullat e tjera të vendosura nga autoritetet “do të mbajnë përgjegjësi ligjore”.

Komisioni Kombëtar kinez për Shëndetin bëri të ditur të shtunën se 143 persona të tjerë kanë vdekur nga koronavirusi, shumica e tyre në Wuhan, duke e çuar numrin e vdekjeve në më shumë se 1.500.Para gazetarëve në Pekin, Zhang Xinmin, kreu i Qendrës së Biologjisë në ministrinë e Shkencës dhe Teknologjisë tha se shkencëtarët kinezë po përpiqen të gjejnë ilaçin që mund të ndihmojnë njerëzit e infektuar.Sipas tij grupi kërkimor shkencor po bën disa prova klinike me një grup ilaçesh të cilat kanë treguar efikasitet të mirë klinik.

Komisioni konfirmoi gjithashtu 2,641 raste të reja të personave të prekur nga virusi, që megjithatë shënon një rënie krahasuar me disa shifra të tjera gjatë ditëve të fundit. Një ditë më parë, Kina raportoi 5,090 raste të reja. Kohët e fundit qeveria kineze e ndryshoi metodologjinë e saj për diagnostikimin e rasteve të reja, proces që shkaktoi një rritje të numrit të rasteve të raportuara.