Specialistë të shëndetit publik thanë sot për ATSH-në, se janë marrë masa shtesë për parandalimin e koronavirusit në Rinas, Durrës dhe në të gjitha pikat kufitare dhe se nuk ka vend për panik pas përhapjes në vendin fqinj, Itali.

Grupi i xhirimit të ATSH-së ka vëzhguar sot fluksin e pasagjerëve që vinin nga vendet e Europës dhe kryesisht Italia, të cilët në aeroportin e Rinasit u nënshtrohen një kontrolli të rreptë për sa i përket dyshimeve për simptomat e koronavirusit.

Përveç matjes së temperaturës nga ekipi mjekësor, qytetarët i nënshtrohen dhe një pyetësori nëse vijnë nga vendet e origjinës së koronavirusit siç është Kina.

Shefi i njësisë së Inspektimit Shëndetësor në aeroportin e Rinasit, Lorenc Hashorva tha për ATSH-në se në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas kemi filluar që dje masat shtesë me monitorimin dhe matjen e temperaturës së të gjithë pasagjerëve që vijnë dhe kryesisht nga Italia.

Ai shtoi se “taskforca është funksionale çdo ditë dhe vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm për çdo informacion që merret për çdo ndryshim situate që ndodh në vazhdimësi në raport me ngjarjet që ndodhin në Itali apo vende e botës”.

Edhe në portin e Durrësit janë marrë masat shtesë për kontrolle sa më të rrepta për të gjithë pasagjerët që rrugëton me traget nga vendet e prekura dhe zbresin në Durrës.

Ndihmësmjeku në Portin e Durrësit, Robert Agolli tha se “ne prej kohësh i kemi marrë këto masa dhe kemi bërë verifikimin e pasagjerëve nga vendet e origjinës nga vijnë”.

“Në fillim ka qenë vetëm Kina, por tani me hapjen e virusit në Itali, që e kishim si masë mbrojtëse paraprake, alarmi është ngritur në nivel më të lartë me masa më të shtuara. Të gjitha tragetet do të pajisen me mjekë dhe ne do ta kemi më të lehtë, pasi pasagjerët do të pajisen me një formular ku do të plotësojë pyetësorin dhe do ta dorëzojë në mëngjes. Aty paraqiten të gjitha simptomat”, tha ai.

“Janë marrë masa që kapiteneria të krijojë një distancë nga trageti në traget prej 30 minutash që ne të kemi mundësi të operojmë. Policia garanton sigurinë dhe kompanitë koncesionare na krijojnë një brez sigurie që pasagjerët të kalojnë në një drejtim për t’i kontrolluar më lehtë”.