Nga Alfred Peza

E kam takuar Albin Kurtin në Tiranë pasi i mbijetoi burgjeve të Serbisë së Millosheviçit, e deri ditën që doli në foton kur Edi Rama i ka hedhur dorën në sup, për ta parë si Kryeministër të Kosovës në Tiranë. Përgjatë këtyre mbi dy dekadash, e kam takuar herë në Shqipëri e herë në Prishtinë. Herë në studion time televizive, e herë në selinë e Lëvizjes “Vetëvendosje”. Herë në takime informale e miqësore, e herë në pritjet zyrtare. Ka qenë një udhëtim në kohë e hapësirë, përgjatë së cilës edhe artikulimi, look-u dhe qasja e tij publike, nga prej rebeli revolucionar e deri tek lideri i sotëm politik me kollare, kanë ndryshuar katërcipërisht. Ka qenë një ndryshim përmes evolucionit gradual. Një spirale e pandalshme rritëse, që sjell më pas përmes artit të sofistikimit, zëvendësimin e luftës së barrikadave, me lidershipin e salloneve. Është ajo faza kalimtare që e shëndrron një ëndërrimtar në politikan, për ta bërë më pas një lider pragmatist që kërkon të udhëheqë sa më gjatë e më mirë, vendin e tij.

Albin Kurti kur donte edhe një orë që të mbushte “de jure” një javë nga marja e statusit të ri, bëri një deklaratë në konferencë shtypi përkrah Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, tipike për një politikan që ende nuk është bërë edhe “de facto”, Kryeministër. I pyetur për iniciativën e Shengenit Ballkanik, ai u përgjigj se ajo ishte një nga temat e trajtuara, por shkurtimisht “meqenëse takimi i parë ishte, le të themi më parë për Makro Shengenin shqiptar, sesa për Minishengenin Ballkanik”. Përmes kësaj përgjigje Albin Kurti tregoi se as një orë, as një ditë e as një javë nuk të bëjnë dot edhe “de facto”, Kryeministër. Siç nuk do ti mjaftojë ndoshta, as edhe një muaj. E sigurtë është se pas një viti, do ta kuptojë se lehtësia e papërballueshme për të ushqyer populizmin e “armiqve” të Edi Ramës sot në Shqipëri, nuk do ta ndihmojnë dot që të qeverisë siç duhet Kosovën.

Ndoshta ka nisur ta kuptojë ndryshimin mes të qenurit në opozitë dhe në krye të qeverisë, ditën që hyri në zyrën e Kryeministrit duke kapërcyer mbi trupin e vet të mbështjellë deri dje me flamurin kombëtar, për tu rrethuar pas kësaj, vetëm nga flamujtë e shtetit të Kosovës. Albin Kurti vertëtë erdhi në pushtet përmes parrullës “Jo negociata, Vetëvendosje”, por ai me siguri e ka ndjerë që tani se nuk mund të rrijë dot gjatë në atë post, nëse nuk do të dëgjojë të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë- Serbi, ambasadorin Rishard Grennell. Apo drejtuesit më të lartë të politikës europiane, në Bruksel.

Deri dje kur ishte në opozitë Albin Kurti kërkoi që ta zëvendësojë taksën 100% ndaj mallrave serbe që futen në Kosovë, të vendosur nga ish Kryeministri Ramush Haradinaj, me reciprocitetin. Por, sot që është Kryeministër, SHBA po i kërkon jo ta pezullojë por ta heqi menjëherë taksën, pa reciprocitet. Deri dje Albin Kurti kur ishte në opozitë, ishte kundër dialogut me Serbinë por sot që është Kryeministër do ti duhet që të ulet ballë për ballë me Aleksandër Vuçiç si më parë edhe “armiku” i tij politik, Hashim Thaçi. Shumë shpejt dhe shumë më shpesh madje.

Deri dje kur ishte në opozitë Albin Kurti foli me heshtjen e tij, kur Edi Ramën e kryqëzuan si “armik” të shqiptarëve në mediat e Sali Berishës, Ilir Metës e Ramush Haradinajt, kur mikpriti liderët e Ballkanit Perendimor në Shqipëri për të çuar përpara 4 liritë europiane; të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Sikundër heshti kur u firmos marrëveshja për fluturimet direkte ajrore mes Prishtinës e Beogradit dhe më pas atë të trenave mes Kosovës e Serbisë. Por, sot që është Kryeministër Albin Kurti nuk mund të heshtë dot më. Sepse ai nuk është zgjedhur në atë post për të vijuar në qeverisje, sjelljen e revolucionarit nacionalist të kohës së opozitarizmit. As për të ushqyer turmat populiste kundër Edi Ramës këtej e matanë Morinit. E aq më pak për të fituar vota për Vetëvendosjen, në kurriz të Shqipërisë, në Kosovë. Mbi të gjitha, që ta vendosi me apo pa dashje qeverinë e Kosovës, kundër projektit Amerikan për shqiptarët në Ballkan.

Albin Kurti ishte në Shqipëri, ditën kur festohej 100 vjetori i Tiranës kryeqytetit. Ky përvjetor do ishte i pamundur, pas mbështetjen e paçmuar të SHBA dhe të Presidentit Willson në Konferencën e Paqes, e më pas. Sikundër edhe Albin Kurti vetë nuk dihet se ku do të ishte sot, pa mbështetjen që SHBA i dha Kosovës në luftën për çlirim, e shpalljen e Pavarësisë. E sigurtë është vetëm që ai nuk do të ishte sot Kryeministër.

Edi Rama ia bëri të qartë edhe në Konferencë shtypi, se “nuk ka Makro Shengen Shqiptar pa Mini Shengen Ballkanik.” Për një arësye shumë të thjeshtë. Jo se “nuk do Edi Rama”. As “për ti bërë qejfin mikut të tij Aleksandër Vuçiç” si trumbetojnë ata që Kryeministri i Shqipërisë u duhet për nevojat e tyre politike, “armik i shqiptarëve”. Por, sepse ka 20 vjet kur kanë qeverisur edhe Ilir Meta edhe Sali Berisha që “Makro Shengeni” shqiptar nuk është bërë dhe nuk ka për tu bërë kurrë edhe nëse ata e Ramushi bashkë, qeverisin edhe për 200 vjet të tjera. Për një arsye fare të thjeshtë: SHBA dhe BE janë KUNDËR. Uashingtoni dhe Brukseli janë totalisht kundër çdo projekti sot në Ballkanin Perendimor, që nuk mer parasysh edhe dakordësinë e të gjitha vendeve të tjera të rajonit. Shembulli i marrëveshjes mes Shkupit e Athinës për Republikën e Maqedonisë së Veriut, është shumë i freskët për tu kujtuar.

Albin Kurti nuk mundet ta nisi ditën e parë si Kryeministër, edhe duke u përkulur mbi varrin e Adem Jasharit në Prekaz, edhe duke lejuar uljen e avionëve serbë në aeroportin që mban emrin e tij. Edhe duke pranuar lëvizjen e trenave serbe në Kosovë, edhe duke ia mohuar këtë Shqipërisë. Edhe duke hequr taksën 100% mbi mallrat serbe, edhe duke mos e pranuar idenë e Procesit të Berlinit, për “Minishengenit Ballkanik”. Albin Kurti e di shumë më mirë këtë. Madje më mire se shumëkush tjetër që u gëzua më kot, për deklaratën e tij në Tiranë. Por, ai po kërkon kohë. Po kërkon kohën e nevojshmë që i duhet një revolucionari shqiptar në opozitë, për tu shndërruar në liderin e ri e modern të Kosovës. Ndaj sapo u rikthye në Prishtinë shkroi:

“Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë- Shqipëri. Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë.” Ndaj jepini pak më shumë kohë Albin Kurtit, që të bëhet ai Kryeministri i Kosovës, që të gjithë e dëshirojmë. Deri atëherë të gjithë ata që u gëzuan aq shumë për deklaratën e tij gjatë vizitës së parë zyrtare në Tiranë, do të kenë kohë të qetësohen. Ndërsa ata që u mërzitën, ta kenë harruar! Pas kësaj do kuptoni se fajtori nuk ishte Albin Kurti, por koha e gabuar, kur iu desh që ti përgjigjej pyetjes së duhur.