Trajneri Pep Guardiola ka tentuar t’u japë fund spekulimeve për një transferim potencial të Lionel Messit në Barcelonë, duke thënë se ai dëshiron që argjentinasi ta mbyllë karrierën e tij në Camp Nou. Mediumet angleze dhe spanjolle kanë sugjeruar se Lionel Messi është duke e shqyrtuar mundësinë e largimit nga Barcelona në fund të sezonit, pasi që s’është i kënaqur me veprimet e drejtuesve të klubit. Pasi e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si futbollist profesionist me Barcelonën, për Messin u spekulua se tifozët mund ta shohin më në fund me fanella të një klubi tjetër: të Manchester Cityt. Kjo pas kritikave që ai ia bëri deklaratave të drejtorit sportiv të Barcelonës, Eric Abidalit, përderisa e ka një klauzolë në kontratën e tij që ia lejon atij ta lë Barcelonën në fund të çdo sezoni edhe pa dëshirën e klubit.

Përderisa largimi i Messit nga Camp Nou ende besohet se ka shumë pak gjasa të ndodhë, mediumi The Athletic raporton se Manchester City tashmë ka filluar të planifikojë për transferimin e argjentinasit, i cili do të mundë të ribashkohej me ish-trajnerin e tij, Guardiola. Megjithatë, trajneri spanjoll s’la hapësirë për spekulime të tilla në konferencën e tij për shtyp, kur u pyet për të ardhmen e Messit.

“Ai është lojtar për Barcelonën. Ai do të qëndrojë atje, kjo është dëshira ime”, ka thënë Guardiola. “Nuk do të flas për lojtarët e një klubi tjetër. Mendoj se ai do ta përfundojë karrierën atje, kjo është dëshira ime”. Këto spekulime ishin nxitur edhe më shumë shkaku se faqja zyrtare e Manchester Cityt në rrjetin social Twitter e shpërndau lajmin e gazetave për transferimin potencial të Messit.