Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka vënë në dyshim rolin e Real Madridit në vështirësitë me të cilat është përballur Eden Hazardi gjatë fillimit të karrierës së tij në La Liga. Eden Hazardi e siguroi transferimin e tij të ëndrrave te Los Blancos nga Chelsea në qershor të vitit të kaluar për rreth 100 milionë euro, pas disa vjetëve spekulime për një transferim të tillë.

Qysh në fillim të karrierës së tij në Santiago Bernabeu, belgu u përball me kritika për formën e tij fizike. Ai ende s’ka arritur ta arsyetojë çmimin e tij pasi që është përballur me lëndime të shumta. Tani ai është duke munguar shkaku i një lëndimi në këmbë, ndërsa në 13 paraqitjet e tij për klubin e tij të ri në të gjitha garat ka kontribuar me një gol dhe katër asiste.

Pasi që e kishte parë Hazardin nga afër sa ishte në Premierligë, Guardiola beson se cilësia e futbollistit nuk mund të dyshohet dhe çfarëdo rënie në formë është shkaku i Real Madridit. “Nëse ai nuk po luan mirë, atëherë diçka po ndodh në Real Madrid sepse ai është shumë i mirë”, ka thënë Guardiola, në një intervistë të dhënë për Post United. “Nuk është vetëm një top lojtar, është një nivel më i lartë. Ajo që ne e pamë në Angli… ai i takon klasit botëror. Por, e gjitha bota e di se të gjithë kanë nevojë për një periudhë për të përshtatur”.