Nga Saimir Demi/

Eshtë e çuditshme, se si koha ndonjëherë funksionon si erozion për të të gërryer shijet dhe më pas kupton që një vend tradicional ka pranuar të jetojë me absurdin, madje duke i bërë tifozllëk.

Pas ndërprerjes së kampionatit, jehona e shtypit për rindërtimin e skuadrave në fazën përgatitore u bë dehëse, megjithëse ishte thjesht një propagandë gati-gati qesharake.

Në këtë periudhë, po të kishe vendosur të bëje rolin e spektatorit do të ndjeje vetvetiu dhimbje të shihje, se si kishin filluar të masnin cilësinë e një skuadre futbolli me yje hotelesh.

Pra duke iu referuar kushteve të akomodimit dhe emrit të ndonjë kundërshtari që të pranonte ftesën për një 90 minutësh miqësor, na kishin shpikur një metodë matematikore për të llogaritur mundësinë e titullit kampion, apo më e keqja pjesmarrjen në kupat e Europës.

Ndërsa sot do të fillojë një javë e re e kampionatit, por që është e veçantë, pasi sapo ka përfunduar merkato, që tek ne ngjan me një periudhë aventurash, si në kohën e “Etheve të Arit”.

Skuadrat që u kthyen nga Antalia u zhvlerësuar disi në sytë e pyblikut, pasi lëvizën shumë pak, duke të dhënë përshtypjen se u harxhuan më shumë për agjensitë turistike, ndërsa Gjirokastra po, theu rekordet, madje duke i dhënë një drejtim tjetër edhe të gjithë historisë së qytetit… atje leku letër.

Pikërisht në ditën e fundit të merkatos së janarit, drejtuesit e Luftëtarit afruan 7-8 futbollistë të rinj, por nuk bënë asgjë më shumë, përveçse treguan provizorisht se janë një markë portofoli. Ky klub kishte mundësi të tjera për t’i shpëtuar rënies nga kategoria, pas një periudhe kur ofroi shumë entuziazëm.

Mjafton të ishin treguar korrektë me ata që i ricikluan futbollin pas shumë vitesh dhe të vazhdonin me të njëjtën filozofi në përzgjedhjen e futbollistëve dhe në kampionatin tonë modest, suksesi do të vazhdonte të ishte i garantuar. Ndërsa tani nuk i duhej më ushtria e të ardhurve, por merkato për të blerë ndonjë arbitër, pikërisht ndonjë nga ata që po i japin dorën e fundit.

Muaj ironik ishte edhe për Flamurtarin, ku për të treguar se ende ka shpresa, premtuan se do të ndërtonin një skuadër të re nga hiçi, madje aq sa do të habiste edhe vetë Kol Kushtën e Vasilin. Ndërsa fundi ishte sërish një lojë fjalësh që prej më shumë se një sezoni futbollistik është kthyer në një refren bajat.

Këtyre u mungon Ligji i Sporteve dhe për çudi ky është bërë edhe një lloj justifikimi i pranueshëm. Në fakt, ky ligj do të mund ta shpëtonte Flamurtarin po aq sa edhe Konçensioni i Sterilizimit, që kryeministri e mbrojti me forcë po nga Vlora.

Mundësia për të shpëtuar, madje edhe duke ruajtur historinë është më e thjeshtë; mjafton të tregosh pak guxim, si Tirana së fundi me aktivizimin e disa të rinjve.

Vetëm kështu, askush nuk do të ketë më arsye të premtojë ato që nuk i ka në xhep, ndërsa yjet e hoteleve do të shërbejnë për të të joshur, vetëm për ndonjë 15 ditësh plazh.