Tre barazime radhazi në kampionat kanë komplikuar disi ecurinë e Interit, që gjithsesi është sërish vetëm tre pikë larg Juventusit kryesues dhe tërësisht në garë për titullin kampion, kur kanë mbetur edhe 17 javë nga fundi i sezonit.Këtë javë zikaltrit eliminuan Fiorentinën nga Kupa e Italisë dhe vijnë me moral të lartë pasi sollën në Milano një emër si Christian Eriksen, por nga krahu tjetër Conte do të duhet të bëjë llogaritë me mungesën e Lautaros së pezulluar dhe emrave si Sensi e Gagliardini të dëmtuar.

“Ndaj Udineses kemi rikuperuar Brozovic, ndonëse nuk mund të them me siguri nëse do të luajë nga minuta e parë, ndërsa mbetet e njëjtë situata për Sensin e Gagliardinin. Në sulm nuk do të kemi Lautaron, por jam i sigurt që Espozito dhe Sanchez mund ta zëvendësojnë shumë mirë, kushdo që të luajë”, deklaroi tekniku zikaltër.Sa i përket danezit Eriksen, Conte foli me superlativa, duke vlerësuar edhe gjendjen e tij të mirë fizike, ndërsa shtoi se tani do të jetë koha ajo që do të tregojë nëse ky Inter mund të pretendojë për objektiva madhorë.

“Eriksen është një lojtar i një niveli të lartë, që kishte shumë mundësi zgjedhjeje, por vendosi të vijë te Interi. Ka luajtur pak, por ka një formë fizike mjaft të mirë dhe do të jetë një vlerë e shtuar për mesfushën tonë. Është një lojtar shumë inteligjent dhe krijues, që ka kapur shumë shpejt porositë tona gjatë seancave stërvitore dhe po përfshihet në idenë që kemi për lojën. Me lojtarët e ardhur në janar, kemi shtuar ndjeshëm eksperiencën dhe cilësinë, ndërsa tani koha do të tregojë nëse mund të pretendojmë për më shumë”, tha Antonio Conte.