Reshjet e dëborës kanë përfshirë mëngjesin e sotëm veriun dhe lindjen e vendit. Ulja e temperaturave është karakterizuar me reshje dëbore në veri dhe lindje të Shqipërisë në lartësitë mbi 500 metër. Flokët e bardhë të dëborës kanë mbuluar gjithçka në qytetet e Korçës, Pogradecit, Pukës, Kukësit dhe Tropojës. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se qarkullimi në të gjitha segmentet e qarkut verior kryhet pa zinxhirë .

Në segmentin Kuben-Vasie, Qafë e Buallit-Krastë, Ura e Cerenecit-Qafë Dragalicë qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Rekomandohet përdorimi i tyre në segmente të vogla, si pasojë e borës që sjell era në rrugë. Kontraktorët e mirëmbajtjes janë në terren për të bërë të mundur pastrimin e të gjitha akseve.

Rajoni Qendror

Në rajonin Qendror nuk ka probleme në qarkullim e mjeteve.
Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Lunik-Steblevë, kontraktorët e mirëmbajtjes ? po punoj për pastrimin e plotë të të gjithë segmenteve të këtij Rajoni.

Rajoni Jugor

Reshjet e borës në qarkun e Korçës kanë filluar në orën 4 të mëngjesit. Trashësia arrin deri në 15. Në segmentin Boboshticë-Dardhë reshjet vazhdojnë. Kalimi nga km 5 deri në 14 rekomandohet me zinxhirë për makinat e vogla. Në segmentet e tjera nuk ka probleme në qarkullim. Të gjithë kontraktorët janë në terren me mjete e punëtorë për pastrimin e akseve rrugore dhe monitorimin e situatës rast të përkeqësimit të motit.

ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve të tregohen të kujdesshëm gjatë qarkullimit, sidomos gjatë orëve të para të mëngjesit dhe përgjatë natës, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.