Trajneri i Interit, Antonio Conte, ka thënë se është shumë i kënaqur me debutimin e Christian Eriksenit për zikaltrit, si dhe me dy golat e shënuara nga Romelu Lukaku në fitoren e skuadrës së tij 2:0 ndaj Udineses të dielën në Serie A. Conte luajti me një Inter shumë më ndryshe me Eriksenin dhe Victor Moses që debutuan si titullarë në Serie A, plus Sebastiano Espositon që zuri vendin e të pezulluarit Lautaro Martinez dhe Daniele Padellin që e zëvendësoi të lënduarin Samir Handanovic.

Udinese mbase bëri lojë më të mirë në pjesën e parë, por Romelu Lukaku shënoi dy herë në pjesën e dytë për triumfin e zikaltërve. “Eriksen pati një ndikim pozitiv, pavarësisht se ka mbërritur këtu vetëm para ca ditësh dhe ne e ngutem për ta futur në lojë sepse kishim mungesa në mesfushë”, tha Conte. “Eriksen kishte detyra të caktuara taktike me top dhe pa të. Nuk dua t’i zbuloj të gjitha fshehtësitë. Ai do të mësojë të vendoset në mesfushë siç kërkojnë ne, por këto janë vetëm ditët e para dhe unë jam i kënaqur”, shtoi ai.

Duke folur për sulmuesin belg, Conte shtoi: “Romelu ka cilësi, kjo nuk ishte paraqitja e tij më e mirë dhe ai duhet të bëjë edhe më mirë. Ai është përshtatur shumë mirë në skuadër dhe për të mund të flas vetëm mirë”.