Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj është shprehur mbi vendimin e Komisionit të Bashkimit Evropian për miratimin e metodologjisë së re të procesit të anëtarësimit në BE. “Ne mirëpresim metodologjinë e re të përpiluar nga Bashkimi Evropian për vazhdimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është e gatshme të vazhdojë reformat përmbajtjesore e transformimin rrënjësor në përputhje me parimet e metodologjisë së re dhe pret çeljen e bisedimeve për anëtarësim brenda 2020” – shkruan Kryediplomati Cakaj.

Sipas Cakajt, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian kërkon qartazi më shumë besueshmëri, parashikueshmëri, mbështetje më të madhe politike dhe zhvillim më dinamik. “Platforma e re e Komisionit Evropian është po ashtu një investim afatgjatë gjeostrategjik në stabilitetin, zhvillimin e demokratizimin e Ballkanit Perëndimor në tërësi”- përfundon ai.