Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot ceremoninë e betimit të prokurorëve të rinj. Ceremonia u mbajt në prani të anëtarëve të Këshillit, Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Evropian zotit Luigi Soreca, përfaqësueseve nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, EURALIUS, OPDAT, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Arben Kraja, si dhe disa prej drejtuesëve të prokurorive në rrethe.

Në fjalë e tij përshëndetëse, Kryetari z. Gent Ibrahimi, uroi prokurorët e rinj përmes një mesazhi të shkurtër duke theksuar rëndësinë e këtij momenti si dhe mbështetjen e Këshillit në rrugëtimin e tyre profesional.

“Faleminderit të gjithë të ftuarëve që zgjodhën të na bashkohen sot. Këto janë vetëm disa mendime dhe emocione që desha t’i ndaj me ju sot. Është momenti i betimit tuaj, është moment me ngarkesë emocionale pozitive padyshim. Për ju është kulmimi i një beteje të gjatë në formimin profesional por edhe mendor. Unë besoj që sprova juaj në shkollën e Magjistraturës, që në fazën për të hyrë aty e më pas për të arritur sukseset e kërkuara nga ligji për tu bërë prokuror, është një sprovë e cila ju formon edhe nga ana mendore. Është moment i rëndësishëm për ju, por është moment i rëndësishëm edhe për ne si anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë por edhe më gjerë , për të gjithë shoqërinë shqiptare. Të gjithë e dimë se viti 2020 është një vit i rëndësishëm por edhe delikat sa i përket sistemit të drejtësisë. Ndërsa viti 2019 u karakterizua nga proceset që në si këshilla kemi ndjekur për të ardhur tek rezultatet tona dhe rezultatet tona jeni ju. Rezultatet e Reformës në Drejtësi janë puna juaj. Pra, viti 2020 duhet të jetë viti i rezultateve dhe në këtë kuptim mendoj që ne kemi bërë pjesën tonë dhe tani ju merrni stafetën për të bërë pjesën tuaj. Unë doja vetëm të theksoj një gjë. Ju nuk do të jeni kurrë vetëm në jetën tuaj profesionale. Do të keni gjithmonë në krahun tuaj Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Do të jetë detyra jonë që ju të jetoni dhe të punoni në një ambient ku prevalon meritokracia dhe vlera profesionale. Ky është premtimi ynë për ju, premtimin tuaj për ne do ta bëni sot në formën e një betimi, të cilin mezi presim ta dëgjojmë”, deklaroi Ibrahimi.

Brahimi 1
Ambasadori i Delegacionit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca përgëzoi prokurorët e rinj duke nënvizuar se ata përfaqësojnë jo vetëm brezin e ri por edhe ndryshimet pozitive në drejtësi.

“Ju përfaqësoni brezin e ri. Kjo ceremoni është një ogur i mirë për ju, për drejtësinë që pret populli shqiptar gjithashtu edhe për vendin. Më besoni që edhe vetë delegacioni evropian ka pritur nga Shqipëria pikërisht këtë ditë dhe ju jeni pjesë e panoramës së madhe së drejtësisë në këtë vend, e cila shkon përtej jetës personale të secilit prej jush. Qëllimisht i kërkova Kryetarit të më linte disa sekonda për t’ju përshëndetur personalisht dhe t’ju përcillja këtë mesazh. Kështu që besoj se kur të vijmë në zyrat tuaja do të kemi mundësi të takohemi sërish bashkë. Urime dhe suksese,” përfundoi ambasadori Luigi Soreca.