Zona e Stëblevës në Librazhd si pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë, është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë dhe atraksion turistik në çdo stinë. Vitet e fundit është investuar për përmirësimin e shërbimeve publike në këtë zonë, si përsa i përket rrjetit të energjisë elektrike, qendra shëndetësore, shkolla etj.Por përfundimi i rrugës që e lidh me Librazhdin mbetet një problem ky për banorët, por edhe për turistët që nuk janë të paktë. Sipas planifikimit mes ARRSH dhe FSHZH pritet që aslfaltimi i rrugës të fillojë brenda këtij viti.

Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla së bashku me drejtorin e ARRSH-së Ergys Verdho dhe Kryetarin e Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra ishin pranë banorëve të kësaj zone.Projekti i Autoritetit Rrugor Shqiptar në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit parashikon shtrimin e rrugës deri në Stëblevë, ndërsa Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla u shpreh se falë këtij bashkëpunimi rruga do të shkojë drejt përfundimit si dhe i kërkoi mirëkuptimin e banorëve “duhet të kuptojmë që viti 2020 është një vit i vështirë përsa i përket financave sepse tërmeti i 26 Nëntorit ka kërkuar që vëmendja jonë shkojë për rindërtimin.”

Drejtori i ARRSH-së, i ndodhur për herë të parë në këtë zonë nuk e fshehu kenaqësinë para bukurive natyrore ndërsa u shpjegoi banorëve detajet teknike të bashkëpunimit me FZHR për investimin në këtë rrugë.

Kryetari i Bashkisë vuri në dukje edhe investime të tjera, sidomos atë të OSHEE për rrjetin e ri të shpërndarjes së energjisë elektrike i cili tani shtrihet deri në fshatin më të largët.