Nga Rrogozhina, ku ishte ndalesa e radhës e turit për ceremoninë e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky moment është një mundësi për të reflektuar se çfarë do të bëjmë në 100 vitet e tjera dhe se shqiptarët duhet të punojnë bashkë për të ardhmen e tyre.

“Pas 100 vitesh përpjekje për të transformuar Tiranën dhe Shqipërinë, ka ardhur koha të mendojmë për 100 vitet e tjera. Në vitet që lamë pas kemi humbur shumë kohë duke debatuar do bëhet apo jo kjo rrugë, do bëhet ky këndi apo jo, do bëhet ky teatër apo jo, do bëhet ky shesh apo jo, do bëhet ky bulevard apo jo? Dakord, para 100 vitesh kishim armiq, po sot kush është armiku?! Armiku qenkemi ne, stërkëmbëshat i vikemi vetë, thikat pas shpine, intrigat, pengesat, humbjet e kohës, sharjet e fyerjet ia bëjmë vetë njëri-tjetrit. A ka ardhur koha që brezi i ri, në 100 vitet të ardhshme, të thotë të duhemi më shumë, të punojmë më shumë, të bashkëpunojmë më shumë, të jemi më pozitivë, të jemi me energji më të mirë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se shembulli i Rrogozhinës në ato vite të vështira për fatet e vendit është gjithmonë një shembull për t’u vlerësuar. “Shembulli i Rrogozhinës, që në ditë të vështira gjeti kurajon të thoshte: Jo, nuk do të bëhem me të fortin, me kundërshtarin, me sabotuesin, por me vëllain, motrën, qeverinë time, bashkëpunëtorët e saj, për ta çuar Shqipërinë përpara, është një shembull që na ka sjellë këtu sot, për t’u përkulur me shumë përulësi, respekt dhe mirënjohje”, tha ai.

“U deshën 100 vite, por sot kemi një nga momentet më të mira kur shqiptarët po punojnë, ku qarku nuk pengon bashkitë, ku bashkitë nuk sabotojnë njëra-tjetrën në dy anët e lumit, ku prefektura është aty të ndihmojë dhe jo që qeveria t’u vërë stërkëmbshin autoriteteve vendore, ndaj duhet ta maksimizojmë këtë moment. Nuk besoj se kemi pasur shans kaq të artë ku, si pushteti vendor, si qarku, si prefektura dhe qeveria qendrore, të kenë gjetur këtë frymë bashkëpunimi, ndaj ju falenderoj shumë për gjithë misionin dhe shërbesën tuaj si prefekturë, për mbarëvajtjen e punëve në qarkun e Tiranës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se falës punës, Europa është më pranë, ku qytetet do të mund të përfitojnë përmes programeve të ndryshme të investimit. “Duam ta lëmë periudhën e tranzitit dhe të fillojmë një familje të re me anëtarët e tjerë të BE-së. Po këtu duhet të jemi të gjithë të suksesshëm. Një pjesë të detyrave patjetër i ka qeveria, dhe po e bën duke filluar nga lufta me KÇK-në, dhe me të gjithë ata që nën hundën e njerëzve të ndershëm kanë ngritur pasuri me krimin. Kjo është pjesë e këtij tranziti, që po ta kalojmë me sukses, do të jemi pjesë e BE-së dhe me shumë shpresë në mars, do të kemi lajme të jashtëzakonshme, nga të cilat të parat që do të përfitojnë janë bashkitë. Do të kemi mundësi të futemi në programe për të bërë investime që sot, me mundësitë modeste që ka Tirana, Rrogozhina, Lushnja, Kavaja, Peqini, Shijaku, nuk i kemi. Aq është ekonomia jonë. Por, duke parë sesi rumunët, bullgarët, sllovenët, prej futjes në BE përfituan disa fonde që s’i kishin më përpara, është një mundësi e shkëlqyer për bashkitë nëse ky tranzit i yni në BE kthehet në histori suksesi”, shtoi Veliaj.

Duke u ndalur në çështjen e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti, kryetari i Bashkisë së Tiranës dha lajmin e mirë se brenda këtij viti mbyllen dosjet për zonat rurale dhe brenda vitit të ardhshëm edhe ato në qytet. Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi tha se në këtë 100-vjetor, Tirana e qytetarisë është një kryeqendër europiane përsa i përket transformimit dhe modelit të shpejtë të ndryshimit. “Jemi të nderuar të jemi pjesë e një momenti historik sikurse është 100-vjetori i shpalljes së Tiranës kryeqytet. Ç’ka e bën të veçantë këtë festë të rëndësishme është fakti që Tirana jonë, Tirana e qytetarisë, është një kryeqendër europiane përsa i përket transformimit dhe modelit të shpejtë të ndryshimit. Bashkia e Rrogozhinës që na mikpret sot ka një pasuri të veçantë për turizmin, agroturizmin, historinë etj, po e ndjek modelin Tiranës kryeqytet, ndërsa ka të rinj të shkëlqyer që po arsimohen këtu. Ndaj organizimi i 100 vjetorit dhe në Rrogozhinë nga ana Juaj i nderuar kryetar Veliaj është një motiv dhe respekt i veçantë për këtë qytet dhe banorët e saj”, deklaroi Dalipi.

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Haxhi Memolla vlerësoi këtë nismë të kryebashkiakut Veliaj për vëmendjen dhe për mirënjohjen ndaj qyteteve që dhanë një kontribut të çmuar 100 vite më parë në ndërtimin e shtetit. Në shenjë mirënjohje për kontributet që kanë dhënë në ato vite të vështira, kryetari Veliaj u dorëzoi disa prej familjeve certifikata mirënjohje. Më pas të pranishmit ndoqën një program artistik me muzikë dhe valle tradicionale të zonës së Tiranës dhe të Rrogozhinës.