Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, priti sot në takimin e saj të parë zyrtar, pas prezantimit të letrave të saj kredenciale, Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Shqipëri, Yuri Kim. Xhaçka shprehet se falë punës dhe angazhimit të ambasadores Kim, bashkëpunimi me SHBA-në do të fuqizohet më tej.

“E lumtur që ashtu si në takimin tonë të parë në Pentagon, vitin që shkoi, kur Ambasadorja Kim ishte pjesë e stafit të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, ndamë të njëjtat vlerësime e konsiderata për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes vendeve tona”, – tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka theksoi se “është fat për ne që SHBA përfaqësohen në Shqipëri me një zonjë të kalibrit të Ambasadores Kim dhe jam optimiste që falë punës e angazhimit të saj, bashkëpunimi e partneriteti mes departamenteve tona të mbrojtjes do të vijojë e do të fuqizohet akoma më shumë, duke ndihmuar në modernizimin e FA dhe duke i mundësuar Shqipërisë të japë një kontribut gjithmonë e më të madh për sigurinë, stabilitetin e paqen krah për krah aleatëve tanë amerikanë”.