Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një video të publikuar në Facebook ka bërë të ditur se edhe pas dorëzimit të emrit për mandatar për kryeministër ende nuk kanë arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ndër të tjera Kurti ka bërë të ditur se janë të gatshëm për takime të reja me LDK-në, në mënyrë që të gjenden alternativa për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje. “Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues në zgjedhje e 6 tetorit kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshje me LDK-në. Në mbledhjen konstituive më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje edhe te presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake. Dy javë pas takimi katër minutësh ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë.

Ne nuk e kemi pranuar propozimin e LDK-së, por jemi treguar të gatshëm për takime tjera me synim gjetjen e alternativave qe do te ishin te pranueshme per te dyja palet. Qasja merre ose lere do të thotë lere. Unë besoj se mund të kthehemi dhe e kemi detyrim që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjendjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes tonë”, u shpreh ai Më tej Kurti la të kuptojë se kryetarin e Kuvendit nuk do t’ja japë LDK-së. “E kemi filluar duke e çliruar nga kapja udhëheqjen e Kuvendit. Nuk është më aty ai pronto kryeparlamentari që shante dhe kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri Glauk Konjufca. Unë besoj se duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe pakicat”, tha Kurti.