Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për situatën në të cilën ndodhet vendi dhe e ka cilësuar si gabim historik mosarritjen e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Pas zhvillimeve të 26 dhjetorit ka qenë nevoja që organet e LDK të mblidhen edhe njëherë. Këto takime kanë qenë të parashikuara për të premten por janë shtyrë për të hënën për shkak të arsyeve teknike dhe një numër i deputetëve nuk janë në Kosovë. Të hënën do të diskutojmë këto rrethana të reja për të parë se cili është qëndrimi i kryesisë dhe deputetëve të cilët kanë marrë legjitimitetin qytetar. Pasi t’i dëgjojmë qëndrimet e tyre do të shohim se si do të procedohet më tutje”, ka thënë ajo.

Sipas nënkryetares së LDK-së, këto ditë nuk ka pasur takime mes të dy partive. “Nuk janë takuar, pas takimit të së hënës, pasi t’i përcaktojmë qëndrimet tona atëherë do të ketë takime të reja dhe të shohim se si do të procedohet. Nuk dua të paragjykoj, e rëndësishme është që marrëveshja të arrihet dhe nuk kam mirëkuptim ndaj kujtdo qoftë që krijon pengesa ndaj vullnetit qytetar. Të krijohet besimi dhe të krijojmë një atmosferë më të mirë të komunikimit dhe bashkëpunimit që t’i hapet rrugë marrëveshjes”.