Skuadrat e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin mbrëmjen e djeshme.24 orë nga tërmeti me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter, bilanci i viktimave ka shkuar në 29. Janë mediat turke të cilat konfirmojnë këtë shifër edhe pse disa prej tyre janë të ndara për sa i përket shifrës.Kurse numri i të plagosurve ka shkuar rreth 1466 ndërsa qindra njerëz janë nënrrënoja kurse Emergjencat Civile turke vijojnë punën në kërkim të njerëzve të cilët kanë ngelur nën rrënoja.

Tërmeti me epiqendrën në qytezën e vogël Sivrixhe, në provincën Elazë u ndje edhe në vendet fqinje. Ministri i brendshëm, Sulejman Sojlu tha se 39 vetë janë shpëtuar gjallë nga ndërtesat e shembura ndërkohë që rreth 22 të tjerë janë të bllokuar në rrënoja. Mes atyre që janë gjetur gjallë, një grua shtatzënë që u shpëtua 12 orë pas tërmetit dhe një tjetër grua, e nxjerrë nga rrënojat 19 orë më vonë. Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, vizitoi zonën e goditur nga tërmeti dhe ngushëlloi familjet e viktimave.“Kemi përjetuar shumë tërmete, por me durim, populli ynë ia ka dalë gjithnjë mbanë ti kapërcejë këto sprova”, tha ai.

Sivrixhe është një qytezë me rreth 4 mijë banorë, në jug të Elazigut, në brigjet e liqenit Hazar, një nga vendet më të frekuentuara nga turistët në rajon dhe vendi nga ku buron lumi tigër. Liqeni mban edhe Qytetin e Mbytur, me gjurmë arkeologjike që datojnë që 4 mijë vite më parë në ujërat e tij.Në fakt, zona ndodhet mbi pllakën e anadollit në një zonë që nuk ka përjetuar çarje të mëdha të dokumentuara që nga një tërmet në 1875. Sipas autoriteteve turke, ka pasur rreth 400 pas lëkundje që prej tërmetit të së premtes mbrëma, me 12 prej tyre që ishin mbi magnitudën 4. Në 1999, një tërmet shkatërrimtar me magnitudë 7.4 goditi Izmirin, në Turqinë perëndimore, duke shkaktuar më shumë se 17 mijë viktima, mes të cilave 1 mijë vetëm në Stamboll. Ekspertët prej kohësh paralajmërojnë se një tërmet i madh mund të shkatërrojë qytetin me 15 milionë banorë, që ka lejuar ndërtime të shumta, pa masat e duhura të sigurisë.