Sezoni plot oshilacione dhe eliminimi në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës ka vulosur fatin e Ernesto Valverde në pankinën e Barcelonës. Në fakt, tekniku i ka orët e numëruara në drejtim të skuadrës “blaugrana”. Të sigurta për këtë janë të përditëshmet katalunjase, që zbulojnë edhe pasardhësin e tij. Bëhet fjalë për një rikthim të bujshëm.

Xavi është kandidati kryesor për t’u ulur në pankinën e Barcelonës, ndërsa tratativat janë drejt fundit të lumtur. Vetë ish-mesfushori e pret me padurim rikthimin në një tjetër rol te skuadra ku shkëlqeu si futbollist dhe fitoi gjithçka në karrierën e tij. Pas largimit nga kampionët spanjollë, Xavi drejton skuadrën e Al Sadd, ndërsa e ka cilësuar si një ëndërr mundësinë për të marrë timonin e Barcelonës.

Ish-kapiteni shihet si njeriu i duhur nga klubi katalunjas, teksa ka edhe bekimin e senatorëve të skuadrës, me në krye Lionel Messi.

Ky i fundit përshpejtoi largimin e Ernesto Valverde, pasi nuk i kurseu kritikat pas humbjes dramatike 3-2 kundër Atletico Madrid. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i Xavi në pankinën e Barcelonës, që me shumë mundësi do të vijë në ditët e para të javës së ardhshme.