Banorë të Vaqarrit, Kombinatit dhe rrethinave, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti do vendosën në një rezidencë me vileta një katëshe, e cila nis të ndërtohet për pak ditë. Përveç shërbimeve të ndryshme sociale dhe terreneve sportive në Vaqarr ngjitur me shkollën ekzistuese do të ndërtohet edhe një shkollë 9-vjeçare. Në këtë rezidencë kanë konfirmuar 22 familjet e para që do të zhvendosen për të jetuar, por numri i viletave që do të ndërtohen pritet të jetë 50.

Drejtoresha e Projektimit në Bashkinë e Tiranës, Nevin Bilali sqaron se: “Ne jemi përpjekur në organizimin e kësaj rezidence që të respektojmë akoma këtë psikologji dhe këtë mënyrë jetese të personave që do të vijnë, duke mos e cënuar hapësirën e tyre. është shumë e vështirë që ti nga një shtëpi private me oborr të shkosh në një pallat apo në një rezidencë që je ngjitur me njerëzit. Kështu që ne jemi përpjekur që të ruajmë parcela, hapësira ndërmjet shtëpive, që të vazhdojmë të ruajmë mënyrën e jetesës së tyre”.

Kjo lagje e re është përveç se do të jetë model në infrastrukturë, do t’i mundësohet edhe transporti publik, duke shtuar një stacion për linjën e autobusit të Kombinatit. Duke qenë shtëpi prej druri ndërtimi i tyre nuk vonon në kohë.

“Kjo prishje mbaron brenda pak ditësh, dhe pastrimi i të gjithë terrenit. Në bashkëpunim me OSHEE-në dhe UKT-në do të vazhdohet infrastruktura nëntokësore, sepse patjetër të gjitha modulet e shtëpive do të kenë infrastrukturën e vet”, thekson Nevin Bilali.

Banorët e Pezë Helmës, apo fshatrave përreth tanimë kanë një mundësi të mirë jo vetëm për të shkolluar fëmijët e tyre, por edhe për punësimin e të rinjve.