“Tani është koha të ndryshojmë drejtimin!”, kështu e nis konferencën për shtyp në kuadër të ndeshjen Milan-Sampdoria Stefano Pioli. Trajneri i kuqezinjve duket më me shumë besim tek ekipi i tij dhe shton më tej: “Na duhen pikë dhe në 21 ndeshjet që na kanë ngelur duhet të ndryshojmë situatën tonë. Duhet ta nisim në mënyrën më të mirë, duke fituar nesër.”

Milan pret Sampdorian, me kuqezinjtë që do të provojnë ta nisin vitin siç duhet dhe të mundohen të arrinë diçka në këtë sezon, që duket shumë i errët deri tani. Pioli u pyet edhe për sfidën e fundit të ekipit të tij, që ishte humbja e thellë 5-0 ndaj Atalantës. Lidhur me këtë takim trajneri u shpreh: “Është një plagë që do të na dhembë të gjithë sezonin. Ne duhet të mundohemi ta harrojmë dhe të bëjmë mirë në 21 ndeshjet që kanë ngelur.”

Gjithashtu, numri një i stolit thekson se ishte faji i tij për atë humbje. “Unë jam personi i parë përgjegjës për atë ndeshje. Nuk bëmë asgjë nga ato që mund të bënim. Ekipi ka treguar që di të luajë, por tashmë ajo sfidë është mbyllur dhe na duhet të shohim përpara.”