Bashkia e Krujës është një ndër bashkitë e cila është prekur më së shumti nga tërmeti i fortë i mëngjesit të 26 nëntorit.

Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni në një intervistë për mediet në vend deklaroi se brenda vitit 2020 “ne synojmë që të kemi përfunduar ndërtimin e banesave për qytetarët e prekur nga tërmeti”.

“Ishte një sfidë e madhe për të gjithë, por të gjitha strukturat e shtetit ishin pranë banorëve të prekur. Procesi i rindërtimit tashmë ka filluar. Në disa njësi administrative të Bashkisë së Krujës është bërë po ashtu identifikimi i tokës ku do të ndërtohen lagjet apo banesat individuale. Jam optimiste që me këtë angazhim dhe bazuar në faktin që ndihma e solidariteti nga vende të ndryshme të botës është marrë, do t’ia dalim mbanë që brenda 2020-s të ndërtojmë banesat për të dëmtuarit nga tërmeti”, – deklaroi deputetja Gjermeni.

Gjermeni bëri të ditur se në bashkinë e Krujës, brenda në qytet janë 446 aplikime për bonusin e qirasë, në Thumanë janë bërë deri tani 300 aplikime, në Fushë-Krujë 370 aplikime në Bubq rreth 50 aplikime, ndërsa në Nikël kemi 3 aplikime për bonusin e qirasë.

Gjermani tha se ata që nuk gjejnë banesa me qira, do sillen në Tiranë.

“Bashkia e Krujës po punon për t’i krijuar mundësinë qytetarëve që të gjejnë një banesë me qira, mundësi kjo e kushtëzuar edhe nga numri i kufizuar i banesave të lira. Gjermeni u shpreh se një pjesë e banorëve që tashmë jetojnë në çadra apo hotele që nuk do të munden të gjejnë një banesë me qira në Krujë, mund të sillen përkohësisht në Tiranë.”, tha ajo.

Lagjet, vijoi ajo, do të jenë vërtet model i zhvillimit urban.

Lidhur me vendimet më të fundit të qeverisë për programin e rindërtimit, deputetja Socialiste bëri të ditur se do të ngrihet brenda pak ditësh platforma për qytetarët që do t’u mundësojë atyre aplikimin online për të përfituar grante për rikonstruksionin e shtëpisë, apo banesë të re në rast të shpalljes së saj të pabanueshme.