Këngëtarja e njohur Dua Lipa, një yll i muzikës botërore dhe fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, me rekomandimin e mikut të saj fotografit shqiptaro amerikan Fadil Berisha, ka zgjedhur të drekojë këtë fund-viti me familjen e saj në restorantin e famshëm shqiptar në Bronx New York, “Çka ka qëllu”, të bashkatdhetarit Ramiz Kukaj.

Kënaqësinë që i ka sjell kjo vizitë tepër e këndshme, nuk ka mundur që ta fshehë edhe vetë këngëtarja shqiptare Dua Lipa, e cila ka publikuar në Instagramin e saj një foto nga Nju Jorku, duke ngrënë gatimet tradicionale të Kosovës në Amerikë, fli, speca turshi, dhe qebap, në restorantin tradicional shqiptar.

“Duhet të vija në Bronx për qebapin më të mirë shqiptar në Nju Jork”, shkruan Dua në foton e publikuar në Instagram, ndërsa ajo më pas përmes një fotoje familjare falenderon fotografin Fadil Berisha që i ka sugjeruar pikërisht restorantin shqiptar “Çka ka qëllu” për të ngrënë një ushqim të gatimit tradicional të Kosovës.