Instituti i Sigurimeve Shoqërore nga data 1 janar po ju ofron online 37 shërbime qytetarëve, ndërsa ka reduktuar me 102 numrin e dokumentacionit që nevojitet për të aplikuar. Ofrimi i këtyre shërbimeve online iu kursen qytetarëve 600 ditë pritje në radhë. Kryeministri Edi Rama u ndal sot në një nga zyrat e shërbimit të sigurimeve shoqërore në Tiranë, ku pa nga afër se si po asistoheshin qytetarët për të aplikuar në e-albania.al. Duke e cilësuar si një revolucion në drejtim të shërbimit ndaj pensionistë aplikimin online, Kryeministri tha se tanimë nuk do të qëndrojnë qytetarët në këmbë duke pritur administratën, po administrata do të jetë në këmbë për të plotësuar dosjet e qytetarëve dhe kthyer përgjigje pa ecejake, pa radhë, pa ryshfet e brenda afatit ligjor.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, theksoi se nga java në javë po shikohet një reduktim drastik i numrit të personave që vijnë në radhë për t’u asistuar për aplikimin online. “Në 30 qershor do të shtohet kjo game edhe me 15 shërbime të tjera duke arritur në 90% të shërbimeve online”, deklaroi Denaj. Denaj vuri në dukje se tanimë 149 dokumente sigurohen nga vet Instituti i Sigurimeve Shoqërore që do të thotë se qytetari nuk ka më nevojë t’i mbledhë nëpër sportele të institucioneve të ndryshme.

Ministrja theksoi se shërbimet online të ISSH-së do të jenë të aksesueshme edhe për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit tonë. “Me shërbimet e 1 janarit ofrohen online tre dokumente me vulë elektronike që kanë një përdorim prej 57 mijë herësh në vit, që do të thotë që kursejmë rreh 600 ditë pritje në sportel për qytetarët. Ndërsa në fund të qershorit do të ketë edhe një sërë vërtetimesh online që kanë një përdorim prej rreth 45 mijë herësh e që do ti kursejmë qytetarëve edhe 450 ditë pritjeje në sportele”, u shpreh Drejtoria e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçani. Kreu i ISSH-së, Astrit Hado informoi kryeministrin se pranë çdo zyre shërbimi do të vijojnë sportelet për qytetarët, ndërsa krahas shërbimit online, ISSH do të vendosë edhe call center.

“Përmes call center qytetarët do të mund të marrin përgjigje për çdo pyetje pa patur nevojë tu drejtohen zyrave tona por edhe mund të denoncojnë çdo parregullsi që ata do të vërejnë”, deklaroi Hado.