Bashkia e Durrësit apeloi të gjithë qytetarët që janë të akomoduar në hotele që të aplikojnë për bonusin e qirasë.

Nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri bëri të ditur për ATSH-në se po vijon procesi i shqyrtimit të dokumentacionit për 3 800 familjet që kanë aplikuar për bonus qiraje dhe se në momentin që ata marrin një konfirmim pozitiv, duhet të lenë ambientet e hoteleve për t’u akomoduar në shtëpi me qira.

“Për ato familje që ende nuk kanë një konfirmim, nëse do të jenë përfituese të bonusit të qirasë, do të vijojnë të qëndrojnë në hotele deri në një konfirmim”, deklaroi Tahiri.

Ndërkohë, familjet që jetonin në shtëpi me qira përpara se banesa të dëmtohej nga tërmeti, duhet të kërkojnë shtëpi me qira, pasi është kategori që nuk përfiton nga skemat e strehimit që po zbaton qeveria shqiptare për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.