Nga Artur Ajazi

Ish-opozita e vjetër duket sikur është ndarë në dy fronte, nga njëra anë ajo e SHQUP-it, dhe nga ana tjetër reperditori saj, kreu i shtetit Ilir Meta. Kjo pasi, pas çdo sulmi bajat ndaj çdo nisme dhe procesi që lidhet me rindërtimin, negociatat, takimet e kryeministrit me Merkel apo tjetër drejtues shteti në Europë, do të nisë avazi “Mukes”.Nga SHQUP-i dalin sekretarët e lëshojnë “akuza dhe denoncime” kurse nga Presidenca del Meta dhe poston në fb “shënime” e foto të kryeministrit me Kancelaren Merkel. Kjo në fakt nuk të habit, por thjesht të bën të mendosh sa e fortë paska qenë aleanca e Doktorit me Metën.

E ndërsa ish-opozita i ngulmon me të madhe akuzave se “qeveria dhe Rama e zhytën vendin në borxhe”, duke harruar se në 8 vjet qeverisje ish-pushtetarët blu, i katranosën financat, aq sa edhe sot e kësaj dite ndjehen pasojat e zullumeve, dhe “arritjeve” spektakolare të investimeve të tyre. Ata që e zhytën dhe e thelluan vendin në kaos dhe anarshi fiskale, ata që toleruan me dashje mbi 500 mijë shqiptarë të mos paguanin taksa e tatime, ujin dhe energjinë për afro 2 dekada me rradhë, sot çirren e ulurasin se “po kapitullon biznesi, ekonomia po shkon në pikiatë”. Ish-opozita e vjetër e quante “lulëzim të kapitalizmit dhe ekonomisë së tregut” faktin dhe situatën në të cilën ishte zhytur vendi dhe klasa e biznesit, duke mos paguar taksa dhe tatime, duke vjedhur ditën me diell ujin dhe energjinë, a thua se vendi ishte pa qeverisje. Por tashmë gjithçka ka ndryshuar, dhe padyshim që nuk mund të vazhdonte pafund një situatë e atillë, ku çdokush vepronte dhe gllabëronte nga shteti, ku mentaliteti i një pjese të popullsisë ishte “merr ç’të marrësh”.

Vendosja e shtetit dhe detyrimi i çdo personi të paguante çdo shërbim që i nevojitej, u quajt nga ish-opozita e vjetër si “zhvatje e xhepave të qytetarëve”. Ata edhe sot ecin me të njëjtin mendim dhe “program zhvillimi”, duke mashtruar me “ulje dhe heqje të taksave”, njësoj sikur të kishin kopjuar programin e PKSH. Gjithsesi, mbështetësi kryesor i SHQUP-it në aksionet e veta opozitariste, prej 1 viti është edhe kreu në detyrë i shtetit Meta. Madje ai mbetet njeriu më besnik, dhe favoriti kryesor i Doktorit për të marrë në dorë “frenat” e opozitarizmit. Kjo edhe për faktin sepse Doktori e ka shprehur qartë gjithmonë se “Meta bën opozitë të fortë, nuk matet njeri me Ilirin”. Edhe në këto muaj pune intensive, që lidhet me procesin e verifikimit dhe rindërtimit, me lobimin e kryeministrit Rama për gjetjen e fondeve për të zhdukur pasojat e tërmetit, ish-opozita e vjetër në sulmet e saj ka pranë vehtes, kreun e shtetit Meta. Ai kurrë nuk e ka lënë vetëm Doktorin, ai kurrë nuk e ka lënë vetëm partinë me të cilën qeverisi dikur. Dhe bën mirë, sepse pas 2021 Meta dhe Doktori, ndoshta do të punojnë në të njëjtën llogore, me shpresën se Rama do të ikë nga pushteti aty nga 2025……