Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, në fjalën e tij në Kuvend lidhur me disa shtesa në aktin normativ “Për tatimin mbi të ardhurat e shtuara”, konkretisht ndryshimin e bërë për shtetasit e huaj që duan të pajisen me pasaporta shqiptare, theksoi se “ne thjesht po bëjmë një gjest për shtetasit tanë për t’u thënë se nëse ktheheni pasi keni punuar jashtë vendit në vendlindje, do ju presin disa lehtësira ekonomike”. Majko tha se “dua t’u them kolegëve të shqetësuar të opozitës që ky akt normativ i sotëm ashtu siç u shpreh edhe përfaqësuesja e Komisionit të Ekonomisë, Evis Kushi, nuk ka qëllime të tilla, të cilat krijojnë intriga sikur Shqipëria të kthehet në një lloj pensionati”.

Sipas tij, ky model është i bazuar në modelin portugez dhe Portugalia është njohur si një vend pensionati. Duke dhënë disa shifra zyrtare sipas INSTAT, Majko tha se “aktualisht Shqipëria ka 1.7 milionë shtetas jashtë vendit, nga të cilët 87 mijë veta janë mbi moshën 65 vjeç, ndërsa vetëm në Itali kanë ndërruar shtetësinë 14 mijë shtetas shqiptarë. Iu dhashë vetëm këto tre shifra se me këtë gjest të sotëm nuk është se do bëjmë ndonjë revolucion të jashtëzakonshëm nuk është se do hapet pensionati e do bëhet deti kos”.

“Ne sot në Parlament kemi ligjin e shtetësisë dhe mendoj se së bashku ne duhet ta liberalizojmë. Shtetasit tanë në Greqi e Itali nuk kishin për ta marrë ndonjëherë shtetësinë, nëse këto vende do të kishin këtë ligj që ka Shqipëria. Por ne të tjerëve u kërkojmë dhe vetë e mbajmë sikur do bëhet nami, po u mor pasaporta shqiptare”, – nënvizoi Majko. Majko theksoi se “ne do bëhemi një hapësirë e BE-së, a do funksionojë mbi bazën e standardeve të BE-së, apo kjo bëhet kjo për të hedhur një karamele për votën e emigracionit që po diskutohet”. “Kemi shqiptarë nga Shqipëria, por kemi edhe të tjerë, si arbëresh që e adhurojnë faktin të kenë një pasaportë shqiptare”, – shtoi Majko.

Ndërsa duke prekur çështjen e votës së emigrantëve, ministri Majko u shpreh se “në të gjitha qëndrimet e mia publike e kam thënë që çështja e votës së shtetasve tanë jashtë vendit është një qëndrim i përbashkët i të gjithë klasës tonë politike. Në 1 mars po pres me padurim që komisioni i tavolinës së rrumbullakët të tre palëve përfshirë edhe opozitën joparlamentare të fillojë diskutimin për të drejtën e votës,. Ky komision i reformës zgjedhore ka pasur që në dhjetor një tufë propozimesh në strukturën e kodit zgjedhor për të drejtën e votës”. “Është e tepërt që ne ta konsiderojmë këtë histori sikur ne po bëjmë një makinacion elektoral apo një makinacion ekonomik për të ftuar këtu disa shtetas të huaj nga Gjermania e Italia për të kaluar pensionin e tyre në Shqipëri”, – tha Majko.