Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në nisje të sesionit të ri parlamentar pasditen e sotme në orën 17:00, komentoi edhe shkrimet në disa media ndërkombëtare lidhur me cështjen e lobimit të PD-së në SHBA, por gjykata e pushoi dosjen për Lulzim Bashën. Balla u shpreh se mediat i kanë kushtuar vëmendje kësaj cështje për shkak të pandëshkueshmërisë së lideri demokrat. I pyetur për faktin që shkrimi i publikuar dje nga BILD lidhur me këtë cështje nuk gjendet më në faqen online, Balla tha se nuk ka asnjë koment. “Këtë cështje sqarojeni me gazetën. PS-ja nuk ka asnjë qëndrim për një shkrim të caktuar në një media të caktuar. Janë pafund media që kanë shkruar për një cështje që edhe tani që flasim nëse hyni në DASH gjeni të gjitha kontratat. Vëmendja është sepse është pandëshkueshmëria. Para pak ditësh u publikua një vendim gjykate që i dha pandëshkueshmëri Bashës për një cështje që është e qartë në dritën e diellit. Pozicioni im është shumë i qartë, Basha ka gënjyer publikun shqiptar.

Basha tha se 500 mijë dollarë i mblodhi dashamirësit në SHBA, por gjyqtari tha nuk ka paguar, Luli thotë kam paguar. Duhet të forcojmë legjislacionin për financimin e partive, duhet të jetë transparent. Ajo që ndodhi me rastin e Biniata Trade, e deklaruar se ka marrë pësipër të paguajë në emër të Bashës te një lobist në dëm të Shqipërisë, ky është një fakt i publikuar. Basha duhet të sqarojë pse emri i tij gjendet atje. Basha ka dy vite që nuk thërret një konferencë për të sqaruar këtë cështje” tha Balla. Ndërkohë që opozita parlamentare ka kërkuar në Konferencën e Kryetarëve ngritjen e dy komisioneve parlamentare. Kryetari i partisë Balli Kombëtar Artur Roshi ka kërkuar ngritjen e një komisioni për dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit, ndërsa komisioni i dytë që ka kërkuar opozita lidhet me ndihmat për tërmetet.