Nga Alfred Peza/

Nëse do të isha në vendin e Lulzim Bashës, e vetmja rrugë që do ndiqja në kushtet aktuale politike për ta sfiduar realisht Edi Ramën, do të ishte përmes ndryshimit të sistemit elektoral. Me këtë të vetmen kauzë dhe të vetmin kusht përballë mazhorancës aktuale, do të përbashkoja rreth vetes me një program frymëzues për qeverisjen e ardhshme të gjitha partitë e tjera, zërat, idetë, individët, grupimet dhe sensibilitetet opozitare e antiqeveritare, në çdo fshat e qytet të Shqipërisë dhe jashtë saj.

Pavarësisht se nuk është sistemi në vetëvete, ai që të jep fitoren apo humbjen në një palë zgjedhje por shumë faktorë e rrethana sëbashku, do e vendosja pikërisht mbi këtë pikë “levën time të Arkimedit”, për ta nisur prej aty punën, për ta zhvendosur përgjithmonë “botën tone”. Kjo, për shumë arësye dhe rrethana specifike që lidhen jo vetëm me debatin rreth kësaj çështje në Shqipëri, por edhe me sensibilitetin e shtuar, për shkak të mënyrës sesi kanë rrjedhur për PD dhe Lulzim Bashën, zhvillimet politike pas 2017 e deri më sot.

Së pari, ndryshimi i sistemit do të ishte një hap i parë i madh, një hedhje me vendosmëri dhe elegancë e dorashkës, që do ti tregonte të gjithëve brenda PD e jashtë saj, një lidership të munguar sfidues. Mesazhi do të ishte kuptimplotë: Lulzim Basha nuk është një kryetar opozite të cilit ja falën partinë, që ashtu si në çdo “mall babe” gjithkush del i fituar sa herë që hyn në pazar me të, për aq kohë sa SHQUP nuk është një shtëpi që ai “e ka ndërtuar vetë”.

Së dyti, me ndryshimin e sistemit elektoral, Lulzim Basha do ti tregonte të gjithëve se nuk është një kryetar që kërkon ta mbajë nën kontroll partinë, përmes listave të kandidatëve për deputetë të hartuara prej atij vetë. Por, se ai është një lider i hapur, që nuk i trembet kërkujt dhe asgjëje ndër rivalët potenacialë. Ndaj fton në ekipin e tij të ri më të mirët, për ti vendosur në garë të barabartë përmes listave të hapura, ku vetëm qytetarët shqiptarë do tia përcaktojnë secilit vlerën reale politike, përmes “bursës” së pagabueshme të votes së tyre.

Së treti, përmes këtij hapi Lulzim Basha do të mbante një premtim të përsëritur publik përgjatë gjithë vitit 2019, kur pasi deklaroi se dëgjoi “zërin e sovranit”, ftoi popullin opozitar në “revolucionin” e 30 qershorit. Duke ndryshuar sistemin zgjedhor nga listat e mbyllara në çdo qark, në ato të hapura në të gjithë Shqipërinë, kryetari i opozitës do ti jepte sovranit të drejtën që ti zgjidhte direkt deputetët e tij të ardhshëm. Kjo do ti jepte jo vetëm kuptim e sharm “revolucionit” të shkuar, por edhe vlerë e peshë më të madhe në vendimarrjen direkte politike, çdo qytetari të kësaj republike.

Së katërti, nëpërmjet ndryshimit të sistemit zgjedhor, Lulzim Basha do të mbante një premtim publik të bërë përpara të gjitha partive të tij më të vogla aleate, të cilat thonë se e shohin pikërisht tek sistemi aktual të keqen e polarizimit të tejskajshëm politik të vendit dhe uzurpimin e gjithës hapësirës demokratike, për përfaqësimin e sa më shumë sensibiliteteve në Parlamentin e ardhshëm dhe të minorancave të papërfaqësuara siç duhet politikisht.

Së pesti, me anë të këtij hapi, Lulzim Basha do i jepte mundësinë të gjitha partive të aleancës së “Opozitës së Bashkuar” që të futeshin në garë për ta peshuar veten, në “kandarin e farmacisë” së gjykimit elektoral të shqiptarëve. Për rrjedhojë, duke garuar secili me listën e vet të kandidatëve për deputetë, do u jepej mundësia disa përfaqësuesve të tjerë të PD për të qenë nesër në sallën e Parlamentit, sepse mandatet e tyre nuk do u faleshin si deri më sot, kryetarëve të “partive- individë”.

Së gjashti, ndryshimi i sistemit zgjedhor nga ana e Lulzim Bashës, do të ishte akti i tij i parë i “atvrasjes politike”. Zhbërja e një marrëveshje të bërë në vitin 2008 mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, do të shënjonte aktin e parë të distancimit real të Lulzim Bashës, nga trashëgimia e paraardhësit të tij. Duke i dhënë atij vetë më në fund lirinë e munguar, për të krijuar jo vetëm lidershipin real, por edhe nisjen e një epoke të re të krijimit të trashëgimisë së tij në politikën shqiptare.

Së shtati, nëpërmjet këtij hapi Lulzim Basha do të niste me këmbën e mbarë jo vetëm një vit dhe një dekadë të re politike në Shqipëri, por edhe një erë të re opozitare. E kombinuar me një program ambicioz të qeverisjes alternative dhe me një fushatë të pandërprerë shtëpi më shtëpi, rrugicë më rrugicë, lagje më lagjë, fshat më fshat e qytet më qytet përgjatë gjithë 2020 anekënd vendit, do të ishte e sigurtë se bashkë ngjizjen e frymës së madhe të ndryshimit të krijuar përmes këtij aksioni, do të niste edhe fushata elektorale për zgjedhjet e qershorit 2021.

Por duke qenë se asnjëra nga shtatë pikat e mësipërme nuk do të zbatohet, për aq kohë sa opozita nuk do që ta ndryshojë sistemin aktual zgjedhor, e sigurtë është që tani se me këtë hap, Lulzim Basha ka vulosur bashkë me dështimin e tij, fitoren e mandatit të tretë qeverisë nga Edi Rama.