Barcelona siguron biletën për në çerekfinalet e Kupës së Mbretit me Goleadë. Në Camp Nou skuadra e Quique Setien, eliminoi Leganes pasi triumfoi me shifrat 5-0. Një fitore shumë e thjeshtë për Barçën që zbriti në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm duke e vlerësuar maksimalisht edhe këtë kompeticion. Griezmann hapi serinë e golave pas vetëm 4 minutash lojë ndërkohë që në të 27-ën, Lenglet dyfishoi rezultatin me asist të Lionel Messit.

Në pjesën e dytë ishte vetë ylli argjentinas që realizoi dy herë ndërkohë që rrugën e rrjetës e gjeti edhe mesfushori brazilian Arthur, për fitoren finale 5-0 të Barçës më e thella me Quique Setien në stol. Për Lionel Messin kjo ishte fitorja e 500-të në karrierë me fanellën e Barcelonës.