Më 4 janar 2000, Diego Armando Maradona ishte në prag të vdekjes. Varësia e tij nga droga dhe mbidoza e çuan atë në një situatë skajshmërisht kritike shëndetësore, por, për fat të mirë, arriti të mbijetojë. Në një intervistë ekskluzive me “Teleshow”, doktor Jorge Romero, i cili e ndoqi atë në spitalin e Punta del Este të Uruguajit (atje ndodhej legjenda e futbollit, kur pësoi kolaps shëndetësor), kujtoi në detaje bisedën që pati me Guillermo Coppola, asokohe agjent dhe mik i “Dorës së Zotit”, kur kërkoi ndihmë për këtë të fundit:

“Coppola më telefonoi dhe më tha se ishte me Diego Maradonën, për të cilin ishte i shqetësuar, sepse kishte dy ditë në gjumë. Ne nuk po e zgjojmë dot, më tha ai në telefon. Iu përgjigja se nuk ka mundësi të flerë dy ditë pa u zgjuar, por duhet të jetë në gjendje kome. Diego kishte një krizë hipertensive dhe një aritmi të ventrikulit. Përveç kësaj, pushoi së marruri frymë për pesë, ose gjashtë sekonda. Isha shumë serioz. Ai po vdiste! Nëse nuk do të hynim shpejt brenda, ai do të vdiste brenda disa minutash. Pamë situatën ë rëndë dhe nuk mund të prisnim as ambulancën, sepse do të zgjaste shumë. Nuk kishim kohë për të humbur…”

Për fat të mirë, Maradona përfundoi në duart e një mjeku, Jorge Romero, që i shpëtoi jetën. Analizat konfirmuan praninë e hidroklorurit të kokainës në gjakun dhe urinën e legjendës së futbollit. Përdorimi i drogës kishte gjeneruar krizën e hipertensionit dhe aritminë ventrikulare tek ish-futbollisti i shquar argjentinas.