Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, do të luajë me “fëmijë” në ndeshjen përsëritëse të FA Cup kundër Shrewsbury dhe do t’ia dorëzojë udhëheqjen e ndeshjes trajnerit të ekipit U23, Neil Critchley, për shkak të pushimit dimëror. Shrewsbury bëri rikthim të jashtëzakonshëm duke barazuar 2:2 me të kuqtë në ndeshjen e rrethit të katërt të FA Cup të dielën, duke bërë që ndeshja të përsëritet në Anfield – por pa yjet e kampionit evropian. Përsëritja e ndeshjes është caktuar për javën e parë të shkurtit gjatë pushimit dimëror të futur në Premierligë sezonin e kaluar dhe Klopp thotë se nuk e ka ndërmend t’i prishë planet për shkak të kësaj.

“Në prill 2019, ne morën një letër nga Premierliga, në të cilën ata na kërkuan ta respektonim pushimin dimëror, duke mos organizuar ndeshje miqësore apo garuese”, tha Klopp. “Dhe ne do ta respektojmë këtë. Para dy javëve u thashë djemve se do ta kemi një pushim dimëror”, shtoi ai. “Kjo nënkupton se ne nuk do të jemi aty. Fëmijët do të luajnë në këtë takim”, përfundoi ai.