Juventus nuk njeh rival as në Kupë. Bardhezinjtë kaluan në raundin çerekfinal të kompeticionit, pas fitores me “poker” 4-0 ndaj Udinese. Ishte një mbrëmje totalisht amerikano-latine te torinezët, me Dybala dy herë, Higuain dhe Costa që shënuan golat e fitores. Fillimisht, Dybala shërbeu për Higuain për të zhbllokuar takimin, përpara se të dërgonte në rrjetë 11 metërshin e fituar në minutën e 26-të të takimit.

Me rikthimin në fushë, Higuain i riktheu reston, teksa shërbeu për golin e tretë. Katër minuta më vonë, braziliani Costa “kopjoi” Dybalën e pjesës së parë dhe nga penallti kompletoi pokerin. Në raundin tjetër, Juventus pret fituesin e çiftit, Roma-Parma. Ndërkohë janë përcaktuar edhe 3 çerekfinalistet e tjera, me Interin që do të mas forcat me Fiorentinën, Lazio sfidon Napolin dhe Milan pret Torinon.