Nga prezantimi në fushën e stërvitjes. Zlatan Ibrahimovic, sikurse e tha edhe para gazetarëve, është gati të luajë me fanellën kuqezi. Për ta vërtetuar këtë gatishmëri, 38-vjeçari e nisi me gol në ndeshjen e kontrollit. Trajneri Pioli duhet t’i bëjë llogaritë me të në formacion, ndërsa krejt skuadra duhet të shkundet mirë, për të dhënë maksimumin. Kërcënimi i Boban për lojtarët ishte i qartë dje: mos u fshihni pas shpatullave të gjera të Zlatan! Humbja e fundit turpëruese në Bergamo nuk mund të harrohet lehtë!

“Gazzetta dello Sport” shkruan sot se Milan-Sampdoria do të startojë me suedezin në fushë, që nga fillimi. Pikërisht së këndejmi do të nisë kapitulli i dytë i dashurisë mes Ibrahimovic dhe Milanit. Shfaqja, për fat të mirë, është planifikuar në “San Siro”, ku tifozët kuqezinj mund ta shohin përsëri idhullin e tyre me skuadrën e zemrës. Sulmuesi veteran është i favorizuar ndaj Piatek për pozicionin e “pykës”, përpara. Me ardhjen e Ibrës, pra, Milani duhet të fillojë menjëherë nga “tridenti”.

Suedezi pritet ta nisë bashkë me Suso dhe Calhanoglu në repartin e përparmë. Në mbrojtje starton përsëri Theo Hernandez, ndërsa Rodriguez në rolin e “spektatorit”. Në mesfushë, Paquetà duket pak më i avantazhuar se Kessié, ndërkohë që ky repart do të plotësohet nga Bennacer dhe Bonaventura. Në videon më poshtë mund të shihni se si do të luajnë kuqezinjtë të hënën, nga ora 15:00, kundër Sampdoria, në kuadrin e javës së 18-të të Serie A.