Greqia, Qiproja dhe Izraeli firmosën një marrëveshje të përbashkët për projektin e gazsjellësit “EastMed”, që parashikon furnizimin me deri në 12 miliardë metra kubë gaz nga lindja e Mesdheut drejt Evropës.

Marrëveshja e nëshkruar kundërshtohet nga Turqia, e cila ka qenë shumë aktive në zhvillimin e rrugëve të reja të gazit për Europën dhe sapo kishte arritur marrëveshje detare me Libinë mbi një zonë të madhe të pasur me gaz në det.

Tubacionet e projektit “EastMed” parashikohet të zgjaten rreth 2,000 kilometra nga Izraeli, Qiproja, Greqia e më pas drejt Italisë, pjesa më e madhe nën ujë.

Projekti do të kërkojë një investim prej rreth 6-7 miliardë dollarësh dhe nëse nis ndërtimin në vitin 2022 do të përmbyllet në vitin 2025.

“EastMed” dublon projektin Trans-Anatolian (TANAP) dhe Trans-Adriatik (TAP), të cilat transportojnë gaz nga Azerbajxhani përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë drejt BE-së. TANAP është përfunduar ndërsa TAP pritet të mbyllet këtë vit.

Ky projekt ka ngjallur përplasje për pasuritë e energjisë dhe mosmarrëveshje të re mes Qipros dhe Turqisë, e cila ka pjesën veriore të ishullit mesdhetar dhe pretendon pasuritë detare përreth.
Turqia tashmë përballet me sanksione të Bashkimit Evropian për anijet që kërkojnë naftë dhe gaz jashtë Qipros, qeveria e së cilës në Nikosia nuk njihet nga Ankaraja.