Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u shpreh gjatë vizitës në Prishtinë se nuk do të ndërhyjë në debatet e brendshme politike për formimin e qeverisë së Kosovës. Ai i bëri këto komente në fillim të takimit me presidentin Hashim Thaçi. Vizita e tij erdhi në kohën kur Kosova është përfshirë nga një krizë institucionale, pasi më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të tetorit, ajo ende nuk ka një qeveri të re.

Por ambasadori Grenell tha se nuk do të përfshihet në debate politike. Të njëjtin mesazh, ai përcolli edhe pas takimit që zhvilloi paraditen e sotme me Albin Kurtin selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje, ku shoqërohej nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. Grenelle tha para mediave se “ krijimi I qeverisë së Kosovës nuk është çështje e tij”, prandaj, theksoi se nuk e ka diskutuar këtë temë. “E inkurajuam Kurtin të ndjekë ligjin dhe çështja e taksës mbetet e rëndësishme, ajo duhet të hiqet”, tha ambasadori që pas kësaj, do të pritet edhe nga Kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu dy ditë më parë vullnetin e saj që marrëveshja politike me Vetëvendosjen të arrihet brenda javës. Por sërish ritheksoi se oferta e fundit e saj pasqyron rezultatin e zgjedhjeve dhe shtoi se nuk ka për të hedhur asgjë tjetër në tavolinë./Irida Vasia/