Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda pas inspektimit në Zyrën e Shërbimit për Qytetarët deklaroi se me fillimin e vitit të ri 2020 ka nisur edhe implementimi i reformës në shërbimet online.

“Me fillimin e vitit të ri, 2020, ka filluar implementimi i reformës së madhe të shërbimeve online, ku ministria e Brendshme, kryesisht Policia e Shtetit ofron një numër të madh shërbimesh online për qytetarët. Në total numri i shërbimeve online për Ministrinë e Brendshme është 48 shërbime. Sot këtu ne jemi në pjesën e ambienteve të Zyrës së Shërbimit për Qytetarët, ku ofrohet shërbimi i Shtetësisë. Pra, janë tre shërbime, është fitimi, rifitimi dhe lënia e shtetësisë shqiptare, ku tashmë qytetarët e qarkut Tiranë nuk do të duhet më të marrin rrugën dhe të vijnë në Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve në Drejtorinë Vendore, por mund të bëjnë aplikimin për këto tre forma, të fitimit, lënies apo lënies së shtetësisë, mund ta bëjnë online”, -u shpreh Voda.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të logohen në portalin “e-albania” dhe në të, të drejtohen për sa i përket shtetësisë, pikërisht në faqen ku flitet për dokumentet e fitimit, rifitimit, apo lënies së shtetësisë shqiptare.

“Në faqen www.e-albania.al shpjegohen shumë qartë dhe në një mënyrë shumë të thjeshtë për qytetarët, hapat që ata duhet të ndjekin për aplikimin online. Bashkangjitur në këtë faqe ka edhe formularin përkatës, i cili është shumë i detajuar dhe orienton qytetarët për të gjithë hapat që duhet të ndjekin, për aplikimin online. Aplikimi është shumë i thjeshtë, merr vetëm disa minuta, kjo do të thotë sigurisht shmangie të radhëve, në radhë të parë në Zyrat e Shërbimit për Qytetarët, e dyta, kursen kohë për qytetarët, është një mënyrë shumë eficiente për aplikuar dhe për ta marrë shërbimin në kohë, kjo është një gjë e mirë sepse lehtëson dhe barrën e qytetarit për dokumente, të cilat ai duhet patjetër që të ketë në dosjen e tij”, -tha ndër të tjera Voda.

“Ju bëj me dije se një pjesë e këtyre dokumenteve tashmë janë në barrën e institucioneve shtetërore për t’i ofruar dhe për të pajisur dosjen e qytetarit, siç është rasti konkret, apo është rasti i dokumenteve të Gjendjes Civile, që tashmë i nxirrni vetë nga sistemi, apo dokumentet e gjendjes gjyqësore, dokumenti i dëshmisë së penalitetit, që nuk është më nevoja që qytetari ta sjellë fizikisht, pasi e merrni online nga sistemi. Kjo do thotë, barra e dokumentacionin, në pjesën më të madhe i ka kaluar institucioneve shtetërore duke lehtësuar goxha barrën e qytetarit, për të pajisur dosjen e tij me dokumentet zyrtarë, që duhen në rastin e shtetësisë”, tha ajo.

“Unë ju bëj thirrje qytetarëve, të logohen në portalin ‘e-albania’, të kenë mundësi që të gjitha aplikimet të cilat tashmë ofrohen online, t’i bëjnë nëpërmjet portalit. Dhe kjo do të jetë një mënyrë shumë e lehtë, edhe për të fituar kohë, edhe për të lehtësuar barrën e tyre të pajisjes me dokumentacionin përkatës të dosjes së tyre.
Megjithatë më lejoni të them që edhe për moshat e treta, Zyrat e Shërbimit të Qytetarëve këtu janë në gatishmëri për t’i orientuar për mënyrën se si do të aplikojnë online në portalin “e-albania”, -tha ndër të tjera Voda.

Ndërkaq, në ndihmë për moshat e treta, Zyrat e Shërbimit të Qytetarëve sipas saj po qëndrojnë në gatishmëri për t’i orientuar për mënyrën se si do të aplikojnë online në portalin “e-albania”.