Nikolo Makiaveli ishte politikan, diplomat, shkrimtar, i njohur për Princin, libër udhëzues për politikanë të paskrupullt, dinakë e të pabesë. Së bashku me Leonardo da Vinçin cilësohet si një shembull tipik i njeriut të rilindjes.

Nikola Makiaveli në gjithëkohje do të ndërmendet si mendimtari i parë që hartoi teorinë e racionalizmit praktik.

Nikolo lindi në Firence më 3 maj 1469. Ai ishte djali i një juristi. Për rininë dhe formimin e tij dihen shumë pak gjëra. Por është e qartë se ishte familjarizuar me poetët kryesorë, filozofët dhe historianët grekë dhe latinë. Zotërimi i shkencave politike dhe njohja e thellë e intrigave të kohës së vet, të dukshme në veprën e tij, të shtyjnë të hamendësosh se Makiaveli u përzie që shumë i ri në jetën politike të qytetit.

Ndryshe nga Platoni e shumë të tjerë pas tij, të cilët synonin të tregojnë, jo ç’është shteti, por çfarë duhet të jetë shteti (“shteti ideal”) Makiaveli politikën dhe shtetin i trajton, jo si çështje etike e morale, por si fakte dhe dukuri objektive shoqërore e historike, studimi i të cilëve duhet t’i ndihmojë pushtetmbajtësit “sundimtarit” se si duhet ta krijojë dhe si duhet ta mbrojë e ruaj sa më mirë dhe sa më gjatë rendin ekzsistues.

Ndryshe nga Arsitoteli, në veprat e të cilit politika dhe etika janë të lidhura në mënyrë të pashkoqitshme, kurse njeriu trajtohet si një qenie e mirë dhe e arsyeshme, si një “qenie politike” (zoon politikon), Makiaveli ishte i mendimit se njeriu është një qenie me përplot dobësi e të meta; i pabesë, mashtrues, i pasigurt, gënjeshtar, lakmues dhe një egërsirë. Ishte ky një nënçmim i rëndë, ndoshta më i rëndi që ndokush ia ka bërë ndonjëherë njeriut.

Njëra ndër idetë politike të Makiavelit është se prishësia e njerëzve është rrjedhojë e pabarazisë midis tyre.

Për të qeverisur me njerëzit e këtillë dhe për ta mbrojtur shtetin nga këta dhe të tjerët jashtë e brenda shtetit është i lejueshëm çdo mjet: gënjeshtra, mashtrimi, thyerja e besës, premtimi i rrejshëm, dhuna, ryshfeti etj. Sipas Makiavellit në politikë nuk ka moral; gjëja kryesore dhe më e “moralshme” është suksesi dhe rezultati, përkatësisht arritja e qëllimit.

“Njeriu i mençur kurrë nuk do ta gjykojë veprimin, i cili i shkel normat zakonore me qëllim të themelimit të monarkisë ose të republikës. Nëse faktet e akuzojnë ligjdhënësin apo shtetarin, atë e arsyeton rezultati. Arsyetimi është vlerëplotë nëse rezultati është i mirë”. Qëllimi e arsyeton mjetin.

Këto mendime të Makiavelit qëndrojnë në themel të mbretërive absolute, që u vendosën nga vitet 1600 në shumë vende evropiane.

Edhe sot i referohen atij, jo më pak kur bie fjala për diktaturat e qindvjeçarit të fundit, që nga Stalini dhe Hitleri, deri tek diktatorët e fundit ushtarakë të ish-kolonive. Madje edhe Hitleri çdo natë para se të flinte e lexonte librin e Makiavellit “Princi” gjysmë ore dhe kur flinte librin e tij e vendoste ndër kokë. Ky libër edhe pse bëri bujë të madhe dhe influencoi në shumë zhvillime politike dhe pretendentë për lidership, skandalizoi shumë njerëz dhe u kritikua tej mase.

“Makiavelizmi” është sot sinonim i një politike force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit të synimeve të tij.

Vitet e fundit të jetës, Makiaveli i kaloi i vetmuar në një fshat të vogël larg qytetit; vdiq më 1527, u varros në kishën Santa Croce, Firence, ku ironikisht i ishte ndaluar hyrja sa ishte gjallë.

Disa aforizma të famshme të Nikolo Makiavelit janë:

– Politika nuk ka lidhje me moralin.

– Një sundimtar i mençur nuk duhet ta mbajë besën kurrë nëse duke bërë kështu do të jetë kundër interesave të tij.

– Përfitimet duhet të jepen gradualisht, dhe në këtë mënyrë ato do të shijohen më mirë.

– Ai që dëshiron të jetë i bindur duhet të dijë se si të komandojë.

– Është kënaqësi e dyfishtë të mashtrosh mashtruesin.

– Është shumë më e sigurt kur ta kanë frikën, sesa kur të duan.

– Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt.

– Asgjë e madhe nuk është arritur ndonjëherë pa rrezik.

– Lufta nuk shmanget; ajo mundet vetëm të shtyhet, në avantazh të të tjerëve.

– Premtimi i dhënë ishte një domosdoshmëri e të kaluarës; premtimi i pambajtur është një domosdoshmëri e të tashmes.

– Nëse një njeri duhet ta lëndosh, duhet që ta bësh aq fort, saqë të mos ia kesh frikën hakmarrjes së tij.

– Metoda e parë për të vlerësuar inteligjencën e një sundimtari, është të shohësh ata që i rrinë rreth e rrotull.

– Qëllimi justifikon mjetin.