Vaçe Zela, ikonë e muzikës shqiptare është një krenari jo vetëm për Lushnjën, por për të gjithë vendin. Vendosja e bustit në qendër të qytetit nderon figurën dhe vendin ku u rrit një prej këngëtarëve që la gjurmë në historinë e muzikës shqiptare. Agjencia Telegrafike Shqiptare gjatë një vizite në Lushnjë, preku nga afër emocionet e qytetarëve që vizitonin bustin e vendosur nga bashkia e Lushnjës në qendër të qytetit. “Është krenaria e gjithë popullit shqiptarë dhe e gjithë Shqipërisë. E kam njohur kur kam qenë e vogël dhe kur këndonte te shtëpia e kulturës, diku këtej nga përroi, ishte dhe një pus aty, ku ne hipnim dhe dëgjonim zërin e Vaçes. Një zë i ëmbël dhe i bukur që na bënte për vete. Sa të jemi, ne lushnjarët nuk bëhet fjalë, por e gjithë Shqipëria ndihet krenare për Vaçe Zelën”,-, tregon një zonjë.

“E kam pasur aq qejf Vaçe Zelën, sa hipja në majën e ullirit për ta dëgjuar. Ishte e mrekullueshme. E kemi njohur kur kemi qenë të vogla. Ajo ka pasur një familje të varfër, por me rritjen e Vaçes u rregullua çdo gjë”,- tha një zonjë tjetër. “Është talenti më i madh në Shqipëri. Vlerësimi jonë është maksimal si brez i ri, duke qenë dhe se jemi persona që vlerësojmë artin. Gjithmonë respekt për të. Krenari!”,- tha një zonjushë.

“Gjëja më e bukur që ka bërë Lushnja është vendosja e bustit të Vaçe Zelës”,- vijon një zonjushë tjetër. Një zonjë nga Tirana, Keti, u shpreh se Vaçe Zela është një nga këngëtaret me famë botërore. Është një nga personalitetet më të mira. Kam ardhur nga Tirana për bustin”,- vijoi ajo, teksa këndoi dhe disa vargje nga këngët e mirënjohura të Vaçe Zelës. Po ashtu dhe disa vajza të reja, shumë pranë bustin, këndonin këngë të këngëtares ikonë të muzikës shqiptare, të njohur edhe si bilbili i muzikë shqiptare.