Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ndodhet në Vjenë për të kërkuar mbështetjen e Austrisë rreth reformave në lidhje me ligjet e Bashkimit Europian për azilin, pasi blloku vazhdon të ketë mos marrëveshje për mënyrën se si të zgjidhin situatën e azilkërkuesve, të cilët vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

“Komisioni dëshiron të paraqesë një plan të qëndrueshëm se si të zgjidhin këtë çështje deri në fund të marsit”, deklaroi sot von der Leyen. Ajo shtoi se plani do të përfshijë gjithashtu rregulloren e Dublinit që kontrollon se cilat shtete janë përgjegjëse për cilët azilkërkues.

“Për këtë kemi nevojë për mbështetjen tuaj,” theksoi ajo, duke iu drejtuar kancelarit austriak Sebastian Kurz, i cili fitoi zgjedhjet në tetor duke u dhënë konservatorëve mundësinë të formojnë një qeveri të re me të gjelbrit. Në këto bisedime të dy liderët pritet të diskutojnë rreth ndryshimit të klimës, Ballkanit dhe Brexit-it. //ATSH