Zgjedhjet e 18 qershorit, KQZ nis punën – Lexo.al

Zgjedhjet e 18 qershorit, KQZ nis punën

Rreth 5 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme komisioni qendror i zgjedhjeve nis nga puna për administrimin e këtij procesi.

Kështu ky institucion ka njoftuar mbledhje për këtë të enjte ku parashikohen disa projektet vendime që kanë të bëjnë me këtë proces.

Sipas KQZ, këtë të enjte diskutohet për caktimin e njësive administrative ku do të krijohen selitë e KZAZ-ve për zgjedhjet e 18 qershorit, për ngritjen e Zyrave Rajonale Zgjedhore.

Po ashtu KQZ ka në rend dite projekt vendimin për caktimin e masës së shpërblimit për anëtarët e KZAZ-ve, KQV-ve dhe anëtarëve të grupeve të numërimit të votave , miratimin e modelit dhe specifikimeve teknike të fletëve të votimit dhe të dokumenteve që do të përdoren nga Grupet e numërimit dhe KZAZ-ja për nxjerrjen e rezultateve.

Ndërkaq KQZ parashikon edhe projekt vendimet për përdorimin e kamerave regjistruese dhe monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit në Vendin e Numërimit të Votave, dhe miratimin e modeleve të disa materialeve zgjedhore që do të përdoren për zgjedhjet për Kuvendin të datës 18 qershor 2017.