Veliaj: I dhamë fund korrupsionit me lejet, në Tiranë vijnë çdo vit 25 – 30 mijë banorë – Lexo.al

Veliaj: I dhamë fund korrupsionit me lejet, në Tiranë vijnë çdo vit 25 – 30 mijë banorë

Tirana ka nevojë për 6-7 mijë apartamente në vit. I ftuar në emisionin “Real Story” në Vizion Plus, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaron se çdo vit në kryeqytet vijnë 25-30 mijë qytetarë që ë bën të domosdoshme dhe zhvillimin e qytetit. Ndryshe nga vitet e mëparshme, Veliaj theksoi se tashmë kryeqyteti ka një plan të detajuar dhe se lejet e ndërtimet jepen në përputhje me të në mënyrë transparente. “Ajo që unë kam thënë që në fillim dhe në fushatë, është që patjetër që nuk do ketë leje për sa kohë që nuk ka plan. Pra bashkia përpara nesh, sipas kërkesës, ashtu i jepte. Bashkia sot është komplet tjetër gjë. Ka marrë planin francez të Edi Ramës , pra një plan për qendrën e Tiranës, pra për ato kulla që parashikoheshin në qendër, ka bërë një plan për të 24 njësitë vendore, ka parë statistikat e INSTAT-it ku çdo vit në Tiranë vijnë 25 – 30 mijë banorë, do të thotë që janë të paktën nevojat për 6-7 mijë apartamente në Tiranë dhe pasi ka hartuar këtë plan, jep këto leje. Nëse qyteti nuk ka plan, ne nuk japim dot leje ndërtimi dhe ne për 2.5 vite nuk dhamë leje”, deklaroi Veliaj.

Ai theksoi se taksa për ndërtimin është 10-fishaur, ndërkohë që financat e Bashkisë janë 3-fishuar, të ardhura që shkojnë për më shumë rrugë, shkolla çerdhe. “Bashkia sigurisht që duhet të sigurojë të ardhura mjaftueshëm, që të bëjë shkolla, kopshte, çerdhe për këta 30 mijë  që vijnë çdo vit. Ne thamë që për të gjithë këta që zhvillojnë, na rezulton që me çmimet e tregut këta kanë fitime kolosale, kjo do të thotë që ne do ta 10-fishojmë taksën. Sot nëse oligarkët, ndërtuesit, zhvilluesit, biznesmenët kanë një kundërshtar që realisht u ka rënë, i ka prerë në mes, për të cilën shkuan edhe në Gjykatën Kushtetuese, është Kryetari I Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministri I vendit. Unë e propozova, Edi e miratoi. Me 10- fishin e taksës ne kemi një bashki që ka financa 3 herë më shumë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se tashmë I është dhënë fund edhe korrupsionit me lejet e ndërtimit. “Kjo taksa njësoj paguhej, i paguhej kunatit të Lulit. Pra nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë kaq e thjeshtë, këtu ka ndryshuar filozofia”, tha ai teksa siguroi se nuk është cenuar asnjë hapësirë publike. “As Edi Rama, as unë nuk kemi cënuar kurrë hapësirën publike. Ka qënë gjithmonë një hapësirë private. I është shitur ndonjëherë në ndonjë rast publikut, sikur ka qenë hapësirë publike, ka qenë private, pavarësisht se s’kanë pasur Pazar me kunatin, siç na doli ai rasti atje?! S’kishin gjetur Pazar me kunatin dhe meqë nuk gjetën, bashkia me forcë e bëri lulishte, por ajo është në hipotekë private. Asnjëherë nuk është cenuar hapësira publike, është 10 – fishuar taksa, është një sektor që punëson njerëz”, nënvizoi kreu i Bashkisë./e.e