Trajnerët, deklaratat e tyre të çuditshme pas shortit të Champions Leage – Lexo.al

Trajnerët, deklaratat e tyre të çuditshme pas shortit të Champions Leage

Conte: Barcelona një mundësi e mirë për të treguar vlerat tona

Antonio Conte thotë se Chelsea duhet të mbetet pozitiv edhe pse shorti i Champions League i ka dhënë një kundërshtar të fortë si Barcelona.Chelsea është çiftëzuar me kryesuesit e La Liga-s në shortin e 16 skuadrave të fundit të kompeticionit më prestigjioz evropian që u hodh në Nyon të Zvicrës të hënën.

“Reagimi ynë duhet të jetë pozitiv,” shprehet trajneri Conte në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Premier League ndaj Huddersfield Town.

“Siç e dimë shumë mirë, kur je në këtë fazë duhet të jesh gati të përballesh me këdo. Në këtë rast duhet të jemi gati të përballemi me Barcelona-n.Kur luan ndaj Barcelona-s duhet të japësh 120% si brenda ashtu edhe jashtë fushe nëse do të shkosh në raundin tjetër.E shkuara është e shkuar. Këtë sezon do të jetë një tjetër histori.Mendoj se kjo ndeshje është një mundësi e mirë për çdo lojtar të tregojë vlerën e tij. çdo lojtar duhet të luajë në mënyrën e duhur.”

Kampionët në fuqi të Premier League janë 14 pikë larg kryesuesve të Manchester City-t në kampionatin anglez pas humbjes ndaj West Ham të shtunën.

Jupp Heynckes kujton rekordin gjerman dhe “kërcënon” Besiktas

Bayern Munich do të duhet të jetë në të mirën e vet për 180 minuta, nëse do të përparojë në Ligën e Kampionëve në kurriz të Besiktas, sipas Jupp Heynckes. Udhëheqësit e Bundesligës u shortuan për të luajtur me Besiktas në 1/8 finale të Champions-it, me ndeshjen e parë në shtëpi, në shkurt, përpara se të udhëtojnë në Turqi për kthimin, më 14 mars. Bayern Munich kurrë nuk ka humbur një ndeshje konkurruese kundër një skuadre turke në garën europiane, por trajneri veteran i bavarezëve paralajmëroi se “ruajtja e atij rekordi nuk do të jetë një detyrë e lehtë. Ata janë një ekip shumë i mirë, – tha Heynckes. –Ne duhet të bëjmë paraqitjet tona më të mira në të dyja ndeshjet, në mënyrë që të përparojmë më tej”.

Që nga momenti kur Heynckes u kthye për herë të katërt në krye të Bayern Munich, në shtator, gjigandët e “Allianz Arena” kanë humbur vetëm një herë, në të gjitha garat, teksa janë kthyer në krye të tabelës së klasifikimit. Dhe kjo ngritje në formë është diçka që drejtori sportiv, Hasan Salihamidzic, beson se u jep atyre avantazh kundër Besiktas: “Ne e dimë se sa të fortë janë turqit e Besiktas. E kemi ndjekur progresin e tyre, sepse ishin në të njëjtin grup me Leipzig. Patjetër që do të ketë një atmosferë të jashtëzakonshme atje, por do të jetë e tillë edhe këtu në Mynih”.

Emery: Po deshe diçka të rëndësishme në Champions, duhet mundur Reali !

Shorti i hedhur sot në Nyon të Zvicrës, i vlefshëm për 1/8 finale të Champion-sit, ka përvijuar, mes të tjerash, edhe një finale të parakohëshme, sikurse është Real Madrid-PSG. Galaktikët e trajnerit Zinedine Zidane do të sfidojnë “sheikët” e PSG-së, me në krye “tridentin” Cavani-Neymar-Mbappe. Në stolat respektivë të dy skuadrave janë “ndërruar kombësitë”: Te Reali drejton një francez, ndërsa te PSG-ja një spanjoll. Unai Emery ka thënë fjalët e para pas shortit, kur ka mësuar se do të “përplasë brirët” me kampionët e Europës në fuqi:

“Nuk mendoj se është shorti më i keq i mundshëm. Eshtë një mundësi e mirë, sepse tashmë e kemi një nivel për të luajtur kundër Real Madridit. Nëse doni të bëni diçka të rëndësishme në Champions, atëherë ju duhet të luani kundër Real Madridit. Për të mposhtur “Los Blancos”, ne do të duhet të luajmë me personalitetin dhe talentin tonë, sepse loja do të jetë qendra e botës së futbollit. E përsëris, skuadra ime është e gatshme ta luajë këtë raund. Ne do të punojmë që gjërat të jenë të përsosura kur të vijë dita e ndeshjeve”.