“Si më “arrestuan” mediat për herë të dytë?” – Lexo.al

“Si më “arrestuan” mediat për herë të dytë?”

Gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi ka reaguar sot pas publikimit në media të lajmit të arrestimit të një personi me të njetin emer në Prishtinë, e për të cilin mediat shpejtuan të përdorin foton e analistit nga Shqipëria, duke e ngatërruar.

Edhe pse me emër të njëjtë me gazetarin dhe analistin nga Shqipëria, në fakt Lutfi Dervishi i Kosovës është një mjek i kërkuar për rastin “Medikus”, për trafik të njerëzve dhe krim të organizuar. Lutfi Dervishi i Kosovës ishte prej vitesh në arrati, ndërsa një portal në Kosovë vendosi foton e gazetarit dhe analistit nga Shqipëria.

luti

Vetë analisti, ka reaguar me anë të një shkrimi, ku sqaron se kjo është hera e dytë që i ndodh kjo gjë me mediat dhe me të drejtë nge pyetjen “1 milionë hallëshe” siç e quan ai: Si i bëhet për një vetting për lajmet?!

Arrestohem pas disa vitesh në arrati…!
Ky ishte lajmi që qarkulloi sot në disa portale. Lajm i vërtetë, por me fotografi të gabuar. Lajmi është për arrestimin e Lutfi Dervishit, mjek urolog në Kosovë.
Nuk është hera e parë që foto ime shoqëron personin e gabuar.
Kjo histori ka nisur 6 vjet më parë. Në nëntor të vitit 2010, një student shqiptar në Bjellorusi më shkruan në email se kishte parë portretin tim në një emision investigativ rus që transmetohej në 11 republika të ish Bashkimit Sovjetik.
Duke parë linkun, fjalët e rrëfimtarit…”personi që do të shihni është Lutfi Dervishi kreu i kartelit krimianl më të rrezikshëm në Ballkan”, pasoheshin nga një foto e imja, e vetmja foto që kam me dhëmbë “jashtë”.

I shqetësuar i shkruaj redaktorit të emisionit për ngatërresën. Nuk mora përgjigje, Me ndërmjetësinë e një drejtueseje të një organizate jo qeveritare në Moskë, redaktori kërkoi ndjesë, por që të bënte korrigjimin kërkoi foton e “Lutfi Dervishit” të vërtetë.

Guglloj dhe në imazh në atë kohë shfaqej vetëm fotoja ime. Në atë kohë nuk kishte në rrjet foto të adashit tim.
Në një blog të Kosovës, dikush kishte postuar foton time me shënimin: ‘Kqyre, kqyre, ky kasapi jonë ka bërë transpalant flokët dhe i ka bërë të bardha, për të mos u dalluar…”
Pas 6 vitesh, ekzistojnë foto të Lutfi Dervishit urolog, por portalet në këto raste për të testuar klikimet nuk e shohin të udhës të vendosin foton e urolugut, por foton time.
Kjo situatë më shumë për të nënqeshur dhe më pak për të buzëqeshur, — kthehet edhe në objekt sarkazme në rrjet.
Një komentues shkruante: efektet e para të reformës në drejtësi, në tjetër i mbante ison me parrullën rroftë vettingu dhe një tjetër më i kujdesshëm shtonte: “lajmi duket pak i parakohshëm”.
Ngatërresat me mjekun urolog kanë ndodhur shpesh edhe në rrjetin social facebook. Kryesisht nga Kosova në inbox vijnë kërkesa për t’u vizituar tek doktori. Studimet e larta i kam mbaruar në fakultetin Gjeologji Miniera, dega shpim. Jam diplomuar, por nuk kam punuar si inxhiner shpimi. Por janë më të shumtë ata që më drejtohen si “doktor…” në facebook. Do të më pëlqente të isha mjek, por…kaq!
Foto e përzgjedhur nga redaktorët, i shkonte shumë titullit dhe e sigurtë — një grep i mirë për klikime. Sot nuk quhesh njeri I përfolur. Sot thonë: ke qenë i klikuar.
Ngatërresat në jetën virtuale me portalet në Shqipëri janë bërë të pashmangshme dhe të mendosh që….nuk kam ndërruar emrin dhe as mbiemrin.
Pyetja 1 milionë hallëshe: si i bëhet për një vetting për lajmet?!