Shqipëria po zhvillohet, pa pyetur për zjarret – Lexo.al

Shqipëria po zhvillohet, pa pyetur për zjarret

Nga Mero Baze

Flakët që po përpijnë mijëra hektarë pyje në Shqipëri, duke rrezikuar dhe qendra të banuara, duhet të shërbejnë si një alarm për fillimin e erës së infrastrukturës kundër zjarreve në Shqipëri. Infrastruktura kundër zjarrit dhe aftësia  e një vendi për t’u mbrojtur nga to, është një vijë e madhe ndarëse mes vendeve primitive dhe atyre të urbanizuara.

Shqipëria është ndoshta vendi më primtiv në rajon në këtë pikë. Dhe këtu nuk është çështje vetëm e mjeteve të munguara që nuk ka, por e një sërë problematikave që lidhen me mbrojtjen nga zjarri.

Së pari, nuk e kemi kulturën anti-zjarr në zhvillimin urban. Shqipëria po zhvillohet pa pyetur për rrezikun e zjarrit. Qendrat më të mëdha urbane të Shqipërisë dhe fshatrat gjithashtu, po zhvillohen sikur zjarret nuk ekzistojnë. Nëse bie një zjarr në Tiranë në zonat e zhvilluara pas vitit ‘90, njerëzit mund të piqen të gjallë në pallate, ku nuk ka vend të hyjë asnjë biçikletë në rrugicë, e jo më zjarrfikëse.

Në fshatra po ndërtohet pa kritere jashtë vijave të verdha dhe befas shtëpitë e gjejnë veten mes një pylli apo kullote të rrezikuar, non stop, nga zjarret e barinjve të papërgjegjshëm. Planifikimi urban i Shqipëirsë së pas vitit 1990, e ka injoruar zjarrin si element shkatërrues dhe tani po paguan hakmarrjen e  tij.

Së dyti, nuk kemi infrastrukturë rrugore të përshkrueshme as në qytete, as në pyje dhe as në male, për të shuar zjarret. Malet e Shqipërisë janë ndoshta malet më të papërshkrueshme nga rrugë emergjence për kamiona së paku. Ka male të tërë që nuk kanë asnjë metër rrugë dhe nëse bie zjarr, ti mund të arrish atje vetëm nga ajri.

Së treti, nuk kemi një legjislacion të fortë kundër zjarrit. Zjarrvënësit që arrestohen e shfaqen në TV me pranga për të trembur fshatarët e tjerë, lirohen nga gjykata pas disa muajsh, se aq parashikon dënim kodi penal.

Në këtë pike, legjislacioni shqiptar duhet forcuar dhe duhet të bashkohet përgjegjësia e pronarëve të tokës apo atyre që i kanë kullotat me kontratë, për të mbrojtur territorin. Kësaj i duhen shtuar dhe penalitetet për çdo subjekt apo biznes që injoron masat mbrojtëse ndaj zjarrit, apo standartet e mbrojtjes ndaj tij.

Së fundmi, duhet të bëjmë doemos dhe flotën ajrore kundër zjarreve, për shkak të terrenit të thyer që kemi dhe papërshkrueshmërisë së maleve dhe territorit. Biles kam frikë se avionët kundër zjarrit do na duhen dhe për pallatet në Tiranë apo Durrës, pasi aty zjarrfikëset nuk bëjnë më punë. Pallatet në tërësi janë pa shkallë emergjence dhe një zjarr mund të bëjë kërdinë ende pa ardhur një zjarrfikëse.

Kjo situatë me të cilën po përballet Shqipëria tregon sa larg standarteve të një vendi normal jemi në këtë pikë. Rropatjet e ushtrisë apo policisë maleve të Shqipërisë, janë të dhimbshme dhe vlejnë vetëm për të thënë që po bëjmë diçka. Në fakt, ajo nuk është detyrë e tyre. Shqipëria duhet të fillojë të ndërtojë një infrastrukturë të tërë për të përmbushur standartet e mbrojtjes nga zjarri dhe kjo infrastrukturë nuk është vetëm pajisje me mjete, por është dhe ligjore, dhe educative, dhe urbane, dhe në fund, natyrisht dhe çështje pajisjesh. Por mbi të gjitha është çështje standarti jetese që duhet të ngulitet në shoqërinë shqiptare, e cila është thuajse në një stad primitiv në këtë pikë.