Reuters paralajmëron: Kosova rrezikohet nga sulmet prej militantëve të kthyer islamikë – Lexo.al

Reuters paralajmëron: Kosova rrezikohet nga sulmet prej militantëve të kthyer islamikë

Qeveria e Kosovës e konsideron mundësinë e sulmeve nga luftëtarët e kthyer të ISIS-it nga Iraku dhe Siria si një nga kërcënimet kryesore të sigurisë kombëtare, ka thënë një dokument i ri strategjik.

Rreth 300 kosovarë kanë shkuar në Siri e Irak që nga viti 2012 për të luftuar me grupin Shteti Islamik për themelimin e një kalifati të udhëhequr nga ligji islamik. Rreth 70 prej tyre janë vrarë por shumë të tjerë, përfshirë gra e fëmijë, ende besohet të jenë në zonat e konfliktit, pavarësisht dëbimit të grupit nga pothuajse të gjitha qendrat e populluara që i ka mbajtur.

Dokumenti, “Strategjia Shtetërore kundër Terrorizmit dhe Plani i Veprimit 2018-2022”, është postuar në ueb-faqen e qeverisë të hënën. Aty thuhet se kërcënimet përfshijnë “sulme nga anëtarë të organizatave terroriste përmes luftëtarëve të huaj terroristë, celulave jo-aktive, por edhe nga simpatizantë dhe përkrahës që mund të inspirohen për të kryer akte të dhunshme”, raporton Reuters.

Agjenci ndërkombëtare dhe lokale të sigurisë më parë kanë paralajmëruar për rrezikun që paraqesin luftëtarët e kthyer, dhe në 2015, Kosova adoptoi një ligj që i dënon luftëtarët në konflikte të huaja deri në 15 vjet burgim, transmeton Koha.net.

Raporti thotë se ka pasur “thirrje publike për sulme terroriste në Kosovë dhe në rajon” dhe e kanë cilësuar terrorizmin “një prej kërcënimeve më të mëdha ndaj sigurisë kombëtare”.

Nuk ka pasur asnjë sulm islamik në Kosovë, ndonëse në qershor, nëntë kosovarë u akuzuan për planifikim të sulmeve në një ndeshje futbolli në Shqipëri kundër kombëtares së Izraelit dhe fansave të tyre nëntorin e kaluar.

Strategjia qeveritare, e përpiluar nga Ministria e Brendshme, ka thënë se një formë e islamit radikal është importuar në Kosovë nga organizata jo-qeveritare nga Lindja e mesme pas përfundimit të luftës 1998-99.

Të ngjashme